Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri: Të gatshëm të heqim dorë nga mëditjet, veç t’i mundësohet puna komisionit hetimor për rezervat shtetërore

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se PDK-ja e mbështetë iniciativën për themelimin e Komisionit Hetimor parlamentar për rezervat shtetërore, por nuk është iniciues.

Ai ka thënë se po angazhohen çdo ditë që vendi të shkojë në zgjedhje, por nuk heqin dorë nga mandati si deputetë për hetim parlamentar për rezervat shtetërore.

Tahiri deklaroi se PDK-së janë të gatshëm të heqin dorë nga mëditjet vetëm që të bëhet t’i mundësohet puna këtij komisioni hetimor parlamentar.

“Ne nuk po kërkojmë me u bo hetues. Ne po kërkojmë ta përfundojmë mandatin tonë si deputet sipas Kushtetutës. Kushtetuta i jep parlamentit mundësinë për hetim parlamentar. Ne kemi pozicion politik dhe kërkojmë që vendi të shkojë në zgjedhje dhe do të angazhohemi çdo ditë që vendi të shkojë në zgjedhje por nuk heqim dorë nga mandati jonë si deputetë për t’i amnistu keqpërdorimet që bëhen”- tha ai.

Kjo deklaratë e Tahirit erdhi si kundërpërgjigje ndaj fjalimit të shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila e cila tha se dy parti opozitare nuk votojnë se kërkojnë zgjedhje dhe në anën tjetër kërkojnë hetim parlamentar.

“Udhëheqësi i Grupit Parlamentar me të madh të opozitës tha se konsiderojnë që nuk ka kuptim të votohet asgjë në kuvend për shkak se duhet të shkojmë në zgjedhje. A doni a nuk doni zgjedhje. Dy nga tri grupet parlamentare të opozitës nuk marrin pjesë në votime se kërkojnë zgjedhje por në anën tjetër kërkojnë hetim parlamentar me periudhë gjashtë mujore”- deklaroi Kusari – Lila.

Ditë më parë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar tek kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kërkesë për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se ky komision sipas tij do të hetojë edhe keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me këto rezerva.

Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, janë arrestuar javë më parë nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare, si dhe – dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas publikimit të audioincizimeve të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.