Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri nga AKK thotë se ndryshimi i praktikës për shpenzimet e naftës është në dorën e shumicës parlamentare

Kryetari i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Besnik Tahiri, ka folur rreth vendimit i cili mbulon shpenzimet e karburanteve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Tahiri tha për KALLXO.com se deputetët nuk kanë kurrfarë përgjegjësie pasi sipas tij kjo është praktikë ligjore.

“Deputetët nuk kanë kurrfarë përgjegjësie. Ata e deklarojnë vendbanimin dhe administrata në mënyrë automatike iu kalkulon shpenzimet. Po më informojnë që janë mbi 60 deputetë që janë kompensuar. Kjo ka qenë praktika ligjore”, tha Tahiri.

Tahiri, vlerëson se është në dorën e shumicës parlamentare që të kërkoj ndryshimin e këtij vendimi.

“Kjo është në dorën e shumicës parlamentare”, tha ai.

Edhe kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka reaguar rreth publikimit të shpenzimeve të udhëtimeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ajo ka deklaruar se deputetët e LVV-së vullnetarisht tërhiqen nga kompensimi i shpenzimeve.

Kusari – Lila tha se në legjislaturën aktuale të Kuvendit të Kosovës janë 67 deputetë të cilët kanë të regjistruar vendbanimin jashtë Prishtinës dhe ka treguar se vendimi mbi kompensimin e deputetëve bazuar në përgjegjësitë dhe obligimet e tyre të punës, daton nga 10 tetori i vitit 2011 dhe është i nënshkruar nga Kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Gjatë vitit 2015, ish deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Blerim Grainca kishte bërë kërkesë në sekretarinë e Kuvendit që mos t’i paguhen shpenzimet e udhëtimit, pasi sipas tij vendlindja është në Ferizaj, ndërsa jeton në Prishtinë.