Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kusari-Lila: Deputetët e LVV-së tërhiqen vullnetarisht nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimeve

Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka reaguar rreth publikimit të shpenzimeve të udhëtimeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ajo ka deklaruar se deputetët e LVV-së vullnetarisht tërhiqen nga kompensimi i shpenzimeve.

“Me anë të këtij njoftimi duam të informojmë opinion publik se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, si shumicë parlamentare, vullnetarisht do të tërhiqen nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit dhe njëkohësisht thërrasin edhe deputetët tjerë të aplikojnë të njëjtin standard”, tha ajo.

Kusari – Lila tha se në legjislaturën aktuale të Kuvendit të Kosovës janë 67 deputetë të cilët kanë të regjistruar vendbanimin jashtë Prishtinës dhe prej tyre 36 janë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së ka thënë se do të kërkojnë nga Kryesia e Kuvendit rishikimin e vendimit për kompensimin e deputetëve.

Ajo gjithashtu ka shtuar se vendimi mbi kompensimin e deputetëve bazuar në përgjegjësitë dhe obligimet e tyre të punës, daton nga 10 tetori i vitit 2011 dhe është i nënshkruar nga Kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

“Me anë të këtij vendimi, në mesin e tjerave, parashihet kompensimi për shpenzime të udhëtimit për pjesëmarrje në punimet e seancës plenare dhe në komisionet e caktuara me vlerat si vijon: deri në 30 km – 10 euro, deri në 60 km – 20 euro dhe mbi 60 km – 30 euro”, shtoi Kusari Lila.

Sipas saj zbatimi i këtij vendimi nuk bëhet me fatura të derivateve, por si pjesë e pagës mujore, e cila llogaritet automatikisht me pagën mujore.

“Deputetët me rastin e regjistrimit të tyre për mandate në fillim të secilës legjislaturë, plotësojnë formularët për vendbanimin e tyre.  Me rastin e regjistrimit të tyre dhe fillimin e punimeve të Kuvendit, automatikisht fillon llogaritja e pjesëmarrjes së tyre në seanca dhe komisione funksionale, e me to edhe kompensimi për udhëtime”, tha ajo.