Besnik Tahiri nga AAK, seanca e Kuvendi 4 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Tahiri kërkon nga kryeministri të marrë përgjegjësi për gjendjen me energji në vend

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha në Kuvend se vendimi i Qeverisë së Kosovës për Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë është vendim i cili praktikisht nuk ka asnjë ndikim te qytetarët e Kosovës.

Tahiri tha se përmes këtij vendimi është ndërhyrë në agjendën e paraparë të votuar në seancën e kaluar për zhvillimin e debatit parlamentar dhe në të njëjtën kohë, sipas tij ka ardhur një vendim që do të mund të ndikoj në përmirësim të situatës.

“Kosova tanimë është duke u përball me krizën më të rëndë energjetike që nga koha e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ekonomia e Kosovës, bizneset të vogla dhe të mesme janë duke u përballur me reduktime shumë të ashpra dhe mu në kohën kur temperaturat kanë rënën nën zero”, tha Tahiri në Kuvend.

Tahiri tha se çka e bënë edhe më të shqetësuar është fakti se Qeveria dhe kryeministri po sillen pa përgjegjësi totale.

“Është për tu habitur fakti se si ka mundësi që Qeveria e Kosovës e kryeministri të harrojnë se tash e 15 vite nuk ka pas asnjëherë mungesë të energjisë elektrike në këtë nivel, ku qytetarët mbesin pa rrymë dy orë siç thuhet, po me 6, 7, e 10 orë në ditë. Kryeministri duhet ta kthej memorien e vet 1 vit më pas dhe të bindet se si ka qenë Kosova e si është tash në aspektin energjetik”, shtoi ai.

Tahiri kërkoi nga Qeveria e Kosovës dhe nga kryeministri të jetë më serioz në këtë temë dhe të marrë përgjegjësi për gjendjen në vend dhe të marrë veprime konkrete për ta stabilizuar gjendjen me energji në vend.

“Kohën e fundit kanë fillu talljet me qytetarët e Kosovës e para me fraza nga zëdhënësi i qeverisë ndalni dritat, shkyçni bojlerët, ndalni Joystikat, nxehuni me qebe e kështu me radhë. E dyta ngrohja është komoditet”, tha ai.

Ndërkaq gjatë javës së kaluar më 24 dhjetor, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për ta shtyrë debatin parlamentar për krizën energjetike për sot më 28 dhjetor dhe kjo pikë të renditet si pikë e parë e rendit të ditës.

https://kallxo.com/lajm/debati-parlamentar-per-krizen-energjetike-ne-kosove-shtyhet-per-javen-e-ardhshme/

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, më 15 dhjetor fliste për krizën energjetike që ka kapluar edhe Kosovën, kishte thënë se është ngrohur me batanije.

“Unë pjesën më të madhe të kohës po më bie të rri në veturë, në një vend ose në një vend tjetër ose këtu në kryeministri, ku e kemi një sistem të përgjithshëm të ngrohjes për komplet objektin. E mbrëmë kur kam shkuar në shtëpi shumë vonë, jam ngrohur me batanije”, tha kryeministri Kurti në një konferencë për media sot.

Edhe ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, u kishte bërë thirrje për kursim të energjisë elektrike qytetarëve.

Rizvanolli ka kërkuar nga qytetarët që t’i heqin nga priza edhe “Joystik-at” e lojërave.