Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sveçla: Valdete Daka duhet të bëhet update

Pas konferencës së mbajtur nga kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, rreth kërcënimeve që ka pranuar, ka reaguar ish- ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla.

“Valdete Daka e ka moshën 60 vjeç, mirëpo ajo është një vit e vjetër. Po mendon që ndodhet në janarin 2020 kur ish- Presidenti Thaçi i dërgonte letra Albin Kurtit dhe bënte darkë pune me ish- Ambasadorin Grenell. Dhe, ndjehet e frikësuar mandej”, ka shkruar Sveçla.

Sipas tij, Daka nuk duhet që preferencën e saj personale ta keqpërdorë si kryetare e KQZ-së.

“Mirëpo, ajo duhet të update-ohet, ta marrë kalendarin e ri: njëmend është muaji janar, por viti është 2021 e jo 2020. Kosova tash ka presidente të re, znj. Vjosa Osmani, dhe së shpejti kryeministër të ri, z. Albin Kurti. E kuptojmë që znj. Daka nuk do ta votojë listën VETËVENDOSJE!-Vjosa me 14 shkurt, por ajo nuk bën që preferencën e saj personale ta keqpërdorë si kryetare e KQZ-së”, ka shkruar Sveçla.

Kryetarja e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve ka thënë sot se akuzat e partive politike, në adresë të KQZ-së dhe në adresë e saj personale, janë ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e institucionit, për ta pamundësuar zbatimin e Kushtetutës dhe Ligjeve në fuqi.

“Kërcënimet publike ndaj meje dhe shqetësimet që po i përjeton familja ime – janë të paprecedenta dhe të rrezikshme, të gjithë kandidatët që dje e kanë parë vetën në listën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës si persona që nuk plotësojnë kriterin për t’u certifikuar si kandidat për deputetë, do t’iu them vetëm dy fjalë, shkurt, shqip dhe qartë: Është ligji dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që ua pamundëson kandidimin dhe jo unë”, ka thënë Daka.

Ajo tutje ka shtuar se ajo nuk e ka shkruar Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme e as nuk e ka votuar atë.

“Unë nuk e kam shkruar as nenin 29 të këtij ligji. Nuk e kam shkruar as germën Q të këtij neni, që pamundëson kandidimin e një personi i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit. Unë nuk e kam shkruar as Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që kërkon zbatimin e kësaj dispozite ligjore”, ka thënë Daka.

Sipas Dakës, është bërë e lehtë “për burrat e politikës që të sulmojnë një gjyqtare, një grua dhe një nënë që nuk e mbron dhe nuk e mbështet asnjë parti politike”.

“Pavarësisht kësaj, unë jam krenare që drejtoj një institucion si KQZ-ja, që ka një staf profesional, puna e të cilëve vlerësohet lartë në raportet e organizatave ndërkombëtare. Kjo është forca më e madhe që kam dhe që u dalë të gjithëve ballëhapur. Në fund, ftoj të gjithë që të përmbahen nga kërcënimet dhe akuzat si dhe të respektojnë institucionet e ndërtuara me shumë sakrificë të njerëzve të vendit tonë”, përfundoj Daka.

Daka: Kërcënimet ndaj meje janë të paprecedenta dhe të rrezikshme