Daka: Kërcënimet ndaj meje janë të paprecedenta dhe të rrezikshme

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka thënë se akuzat e partive politike në adresë të KQZ-së dhe në adresën e saj personale, janë ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e institucionit, për ta pamundësuar zbatimin e Kushtetutës dhe Ligjeve në fuqi.

“Kërcënimet publike ndaj meje dhe shqetësimet që po i përjeton familja ime – janë të paprecedenta dhe të rrezikshme, të gjithë kandidatët që dje e kanë parë vetën në listën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës si persona që nuk plotësojnë kriterin për t’u certifikuar si kandidat për deputetë, do t’iu them vetëm dy fjalë, shkurt, shqip dhe qartë: Është ligji dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që ua pamundëson kandidimin dhe jo unë”, ka thënë Daka.

Ajo tutje ka shtuar se ajo nuk e ka shkruar Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme e as nuk e ka votuar atë.

“Unë nuk e kam shkruar as nenin 29 të këtij ligji. Nuk e kam shkruar as germën Q të këtij neni, që pamundëson kandidimin e një personi i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit. Unë nuk e kam shkruar as Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që kërkon zbatimin e kësaj dispozite ligjore”, ka thënë Daka.

Sipas kryetares së KQZ-së, çdo person që mendon se po i bëhet e padrejtë, do të mund të ankohet në institucionet si PZAP apo edhe në Gjykatën Supreme.

“Ne do t’i zbatojmë vendimet e tyre. Unë, Valdete Daka nuk i kam shkruar dhe as votuar këto ligje, por si gjyqtare dhe si drejtuese e KQZ-së, i garantoj qytetarët e Republikës së Kosovës se do t’i zbatoj germë për germë. Kushtetutën dhe Ligjet, të mira apo të këqija, kështu siç janë, i kanë votuar deputetët e e partive tuaja në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, u shpreh Daka gjatë konferencës.

Daka tutje në konferencë ka thënë se mund të ndodh që partive politike herë u pëlqejnë vendimet e KQZ-së dhe herë jo, por megjithëkëtë këto vendime janë të bazuara në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, me të cilin organizohen zgjedhjet.

“Ky ligj është në fuqi nga viti 2008, por partitë politike nuk e kanë marrë mundimin që ta ndryshojnë përmes deputetëve të tyre. Derisa partitë politike nuk e ndryshojnë ligjin, ne do ta zbatojmë ligjin që është në fuqi. Unë, nuk marr vendime në emër të KQZ-së. Sipas ligjit, KQZ-ja është organ kolegjial, i përbërë edhe nga 10 anëtarë të tjerë, të cilët përfaqësojnë partitë politike dhe që kanë votën e tyre, njëjtë si unë”, u shpreh Daka.

Sipas Dakës, është bërë e lehtë “për burrat e politikës që të sulmojnë një gjyqtare, një grua dhe një nënë që nuk e mbron dhe nuk e mbështet asnjë parti politike”.

“Pavarësisht kësaj, unë jam krenare që drejtoj një institucion si KQZ-ja, që ka një staf profesional, puna e të cilëve vlerësohet lartë në raportet e organizatave ndërkombëtare. Kjo është forca më e madhe që kam dhe që u dalë të gjithëve ballëhapur. Në fund, ftoj të gjithë që të përmbahen nga kërcënimet dhe akuzat si dhe të respektojnë institucionet e ndërtuara me shumë sakrificë të njerëzve të vendit tonë”, përfundoi Daka.