Sveçla: Kufiri po ruhet më mirë se kurrë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla deklaroi sot se kufijtë e Kosovës po ruhen më mirë se kurrë më parë.

Ai tha se pjesa e kufirit në veri është po aq e ruajtur sa kufiri me Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë e Malin e Zi.

“Kufiri është duke u ruajur më mirë se kurrë ndonjëherë. Janë diku rreth 16 rrugë ilegale të cilat shteti i Serbisë, kriminelët e ndryshëm, kontrabandistët i kanë shfrytëzuar më herët pa kurrfarë pengese. Tashmë kjo nuk ndodh apo ndoshta ndodh në përmasa jashtëzakonisht të vogla krahasim me më herët. Mund të themi se ajo pjesë e kufirit në veri është po aq e ruajtur, në kuptimin e antikontrabandës, sa kufiri me Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë e Malin e Zi”- tha Sveçla.

I pyetur nëse Policia e Kosovës janë kthyer te pika kufitare në vendin ku janë rrëmbyer ditë më parë tre policë të Kosovës nga forcat serbe, Sveçla tha se vlerësimet operative i bën vet Policia.

“Detyrim i imi është të kërkojë nga Policia e Kosovës t’i përmbushë obligimet kushtetuese. Një ndër to është ruajtja e kufirit. Vlerësimet operative i bën vetë Policia”- u përgjigj ai.

Ndërsa sa i përket shtesave të rrezikshmërisë për Policët, ai tha se janë duke punuar, por është çështje e vlerësimeve, dhe në momentin që gjendet një zgjidhje, sipas tij, e kënaqshme dhe e përballueshme do të bëhet publike.

Kabineti qeveritar sot ka marrë vendim që organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen organizata terroriste në Republikën e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sipas vlerësimeve të institucioneve të sigurisë në Kosovë, formacionet ilegale Mbrojtja Civile dhe komponenta e saj Brigada e Veriut, paraqesin kërcënim serioz të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit.

Dy organizata të cilat tashmë janë të njohura në veriun e Kosovës “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, janë parë gjatë të premtës së javës kaluar në veturën e cila është zbuluar e në të cilën janë gjetur armatim, eksploziv e uniforma ushtarake.