Suspendohet një zyrtar policor lidhur me rastin e narkotikëve në Komunën e Leposaviqit

Një zyrtar policor në Leposaviq është suspenduar pas publikimit të video-incizimeve në medie në bazë të të cilave dyshohet se zyrtarë të Komunës së Leposaviqit kanë konsumuar lëndë narkotike brenda objektit të Komunës.

Sipas njoftimit, hetimi i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) ka filluar bazuar në dyshimet se në këto pamje tashmë të publikuara mund të jetë i përfshirë si i dyshuar edhe një zyrtar policor.

Ndërsa thuhet se në kuadër te hetimit dhe veprimeve të tjera të natyrës administrative, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të zyrtarit policor të dyshuar në këtë rast.

“IPK me autorizim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë tashmë ka intervistuar një zyrtar policor  të Stacionit Policor në Leposaviq me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge””- thuhet në njoftim.

Tutje IPK ka njoftuar se në kuadër të autorizimeve ligjore dhe në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

Dje, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka autorizuar Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, që të nisë hetimet për substancat narkotike brenda Komunës së Leposaviqit.

Përmes një komunikate për medie, Prokuroria e Mitrovicës ka theksuar se Policia do të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me hetimin e këtij rasti.

Media Nacionale të hënën ka publikuar një video në të cilën sipas tyre, shihen zyrtarë të Komunës së Leposaviqit, përfshirë edhe nënkryetaren Dragana Miletiq, duke konsumuar substanca narkotike.

Sonte, i njëjti medium ka publikuar një video-incizim tjetër, ku disa persona shihet se janë duke konsumuar lëndë që dyshohet se është drogë. Në tavolinë është edhe pjesëtari i Policisë së Kosovës i suspenduar sonte.