Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Suma nuk pajtohet me vendimin e PZAP-së, i drejtohet sërish Gjykatës Supreme

Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit, e ka konfirmuar për KALLXO.com se sot sërish është ankuar në Gjykatën Supreme shkaku i mos pajtimit me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i cili kishte vendosur gjatë ditës së djeshme që në Komunën e Hanit të Elezit të mos ketë përsëritje të zgjedhjeve.

“Refuzohet si e pabazuar pjesa e ankesës së kandidatit për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, kandidat i pavarur me të cilën ka kërkuar që të anulohet procesi i votimit për zgjedhjet lokale të datës 17.10.2021”, thuhet në vendimin e PZAP.

Suma tha se pret që kandidati i PDK-së Mehmet Ballazhi të dënohet pasi ka vizituar qendrat e votimit në ditën e zgjedhjeve.

“PZAP e shpall fajtor subjektin politik se kanë bërë ndikime në çështje të votave me propaganda që i kanë pas përmes presioneve, e ndikimit në përgjithësi, ndërsa kandidatin nuk e dënon në asnjë gjobë ose asnjë masë me arsyetim se në të gjitha raportet si të policisë, si të komisionit komunal, si të votimeve kinse nuk ka arsyeshmëri se kandidati i ka vizituar qendrat e votimit. Kjo është e turpshme pasi kandidati e pranon publikisht në të gjitha dhe gjykata konstaton se nuk ka dëshmi se i ka vizituar”, tha Suma.

Suma tha se nëse ka mbet vetëm pak drejtësi duhet të dënohet kandidati për veprimet që i ka bërë pasi Suma thotë se me ligj është e ndaluar vizita në vendvotime.

Gjatë ditës së djeshme, Po ashtu PZAP ka marrë vendim që Partia Demokratike e Kosovës të dënohet me mbi 10 mijë euro gjobë.

“Subjektit Politik, Partia Demokratike e Kosovës me seli në Prishtinë i shqiptohet dënime me gjobë në lartësinë prej 10,100.00 euro, për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike”, thuhet në vendim.

“Në cilësinë e shefit të shtabit të partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kam vizituar të gjitha shkollat e Komunës së Hanit të Elezit ku ka pasur votime”, kishte thënë Mehmet Ballazi për KALLXO.com pak pas ditë zgjedhjeve.

Zgjedhjet lokale në Kosovë janë mbajtur më 17 tetor. Ditë më parë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte anuluar të gjitha votat për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit.

Këtë vendim PZAP e kishte marrë pas ankesës së kryetarit aktual, kandidatit të pavarur Rufki Suma. Në arsyetimin e PZAP-së thuhet se zgjedhjet janë anuluar “për shkak të minimit të integritetit të zgjedhjeve si rezultat i presionit dhe organizimit me qëllim të përfitimit të mbështetjes së votuesve”.

Ndërsa të hënën, Gjykata Supreme e Kosovës e ka kthyer në rivendosje vendimin e PZAP-së i cili  i kishte anuluar zgjedhjet në Han të Elezit. Supremja ka kërkuar nga PZAP-ja që të vendosë edhe një herë në lidhje më këto ankesa.

PZAP: Nuk ka përsëritje të zgjedhjeve në Han të Elezit