Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

'Shkollë më shkollë’, Mehmet Ballazhi i PDK-së kreu vizita në ditën e zgjedhjeve - VIDEO

Në ditën e zgjedhjeve, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mehmet Ballazhi, përveç që ka votuar për vete, është përkujdesur që t`i vizitoj të gjitha qendrat e votimit në këtë komunë.

Ballazhi sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, ka fituar Komunën e Hanit të Elezit me 50,98% të votave.

Disa qytetarë të cilët janë shqetësuar nga prania e Ballazhit në qendrat e votimit, kanë raportuar në plaftormën e KALLLXO.com, pasi sipas tyre një veprim i tillë është i ndaluar me ligj.

Në videot e dërguara nga raportuesit, shihet Mehmet Ballazhi duke vizituar shkollën në fshatin Goranc të Komunës së Hanit të Elezit.

Sipas pamjeve ai hynë në shkollë, përshëndet një pjesë të stafit, pastaj edhe futet në klasa për të parë procesin zgjedhor.

 

I kontaktuar nga KALLXO.com, Mehmet Ballazhi ka thënë se ka votuar në shkollën  ‘Ilaz Thaçi’, ndërsa po atë ditë ka vizituar të gjitha shkollat e kësaj komune, jo si kandidat për kryetar, por në cilësinë e shefit të shtabit.

“Në cilësinë e shefit të shtabit të partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kam vizituar të gjitha shkollat e Komunës së Hanit të Elezit ku ka pasur votime. Unë i kam vizituar në cilësinë e shefit të shtabit, çdo herë kur kemi pasur zgjedhje sepse kam qenë shef shtabi”, tha ai.

Tutje Ballazhi tha se ka marrë kritika për ‘vizitat’, mirëpo sipas tij nëse një gjë e tillë paraqet shkelje, ankuesit mund t`i drejtohen gjykatës.

“Jam në dijeni për akuzat që janë bërë në adresë time, por ato nëse janë ligjore, le të vazhdojnë me ligje, por unë nuk kam pasur ndonjë qëllim të caktuar”, tha ai.

Ndërsa, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme përcakton se cilët janë personat e autorizuar të cilët duhet të jenë të pranishëm në qendrat e votimit.

“Personat në vijim janë të autorizuar të jenë të pranishëm në vendvotim ose Qendër të Votimit: a) personat e pranishëm me qëllim të votimit; b) anëtarët e Këshillit të Vendvotimit dhe stafi i Qendrës së Votimit; c) anëtarët e KQZ-së dhe personeli i SKQZ-së; d) anëtarët e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve; e) vëzhguesit e akredituar të procesit zgjedhor; f) policia, kur thirren për të vendosur rregull; dhe g) përkthyesit për personat e shënuar në pikat (c) (e) dhe (f) të këtij nën-paragrafi”, thuhet në nenin 82 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Në rastin konkret vet prania e Mehmet Ballazhit në qendrat e votimit, duke qenë se i njëjti nuk bënë pjesë në mesin e personave të autorizuar për të qëndruar në këto qendra të votimit ashtu siç e përcakton Ligji për Zgjedhjet, mund të konsiderohet si qëndrim i paautorizuar në qendrat e votimit.

Poashtu, Neni 7 i Kodit të Mirësjelljes për subjektet politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët përcakton se ndër veprimet e ndaluara para dhe gjatë ditës së zgjedhjeve është edhe bërja e fushatës zgjedhore në çfarë do mënyre.

Zgjedhjet lokale në Kosovë janë mbajtur më 17 tetor, pas tri mandateve kandidati i pavarur në këtë komunë, Rufki Suma ka humbur, ndaj Mehmet Ballazhit të Partisë Demokratike të Kosovës.