Qyteti i Suherekës

Suharekë, aktakuzë ndaj të pandehurit për dhunë psikologjike ndaj gruas

Prokuroria e Prizrenit ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet A.E., nga Suhareka, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale – dhunë në familje.

Sipas aktakuzës, i pandehuri A.E. më 8.3.2020 rreth orës 23:00, si dhe me datë 9.3.2020 rreth orës 14:00, në shtëpinë e përbashkët familjare, e cila gjendet në Suharekë, me qëllim të cenimit të dinjitetit brenda një marrëdhënie familjare, në mënyrë të vazhdueshme i shkakton dhunë psikologjike të dëmtuarës – bashkëshortes së tij F.E.

“Me këto veprime, i pandehuri A.E. ka përmbushur elementet e veprës penale – dhuna në familje”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Prizrenit.

Në fund të komunikatës thuhet se prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cilat i vihet në barrë.