Studentë në ligjëratë - Foto: REL/Shutterstock

Studentët paralajmërojnë protestë, kërkojnë që të mos vazhdojnë ligjeratat online

Studentët e Universitetit të Prishtinës kanë paralajmëruar se do të protestojnë nëse nuk u merren parasysh kërkesat e tyre në lidhje me fillimin e ligjeratave në mënyrë fizike.

Oktaj Hasani, udhëheqës i studentëve të Universitetit të Prishtinës për KALLXO.com, ka thënë se studentët kanë nisur një peticion online për rikthimin e ndjekjes së ligjeratave në ambientet e universiteteve publike dhe private.

“Këtë peticion e kemi nisur së bashku me Këshillet studentore në UP, për faktin se nuk pajtohemi me vendimin e MASH dhe MSH, që mësimi të vazhdoj online edhe në semestrin tjetër. Nuk pajtohemi për shkak të dy arsyeve kryesore”, tha Hasani për KALLXO.com.

Tutje ai tregoi se dy arsyet janë, hapja e kafeterive dhe mosrespektimi i masave anti COVID-19 brenda tyre si dhe tubimet elektorale nëpër oda e restaurane të ndryshme nëpër Kosovë duke mos respektuar masat kundër coronavirusit.

“Duke i parë këto arsye, është e pakuptimtë për ne që dyert e dijes të mbyllen, teksa dyert e propagandës të mbeten të hapura. Prandaj, ju njoftojmë që peticioni nuk do të jetë forma e vetme të cilën do ta ndjekim për realizim të kërkesave tona, nëse edhe pas peticionit nuk realizohen kërkesat tona për rikthim të mësimit në formën fizike, atëherë protestat masovike do të jenë të pashmangshme”, tha tutje Hasani.

Hasani tha për KALLXO.com edhe se peticioni ka filluar mbrëmjen e kaluar dhe se deri tani janë më shumë se 2 mijë nënshkrime nga studentët që kanë kërkuar që ligjëratat të mbahen në ambientet e universiteteve.

Në lidhje me kërkesat e studentëve Hasani tha se ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Shëndetësisë.

“Mbrëmë kam kontaktuar me Ministrin e Shëndetësisë, më tha që të kontaktoj MASH-in, që kërkesat më pas të dërgohen në MSH dhe se ministri t’i adresoj në IKSHPK. Sot u kam dërguar një email për takim por nuk kam marrë përgjigje”, shtoi tutje Hasani.

Në fund ai tha se nëse nuk plotësohen kërkesat e studentëve protestat do të jenë të pashmangshme.

KALLXO.com ka kontaktuar me zëvendësministrin e Arsimit, Xhavit Rexhaj i cili tha se nuk ka pranuar ndonjë kërkesë të studentëve.

“Unë nuk kam një kërkesë të tillë. Personalisht unë jam kundër cdo hapjeje në këtë kohë. Ërë Evropa po mbyllet. Trendet e Evropës arrijnë te ne zakonisht për rreth dy javë. Unë jam që të pritet vaksina. Por ky është vetëm qëndrimi im”, tha Rexhaj për KALLXO.com.

Në anën tjetër në lidhje me kërkesat e studentëve KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zyrën e Ministrit të Shëndetësisë Armend Zemaj.

Të njëjtit i kanë thënë KALLXO.com se kërkesat fillimisht duhet të merren nga Ministria e arsimit dhe Shkencës e më pas këta të fundit e adresojnë në MSH.