Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg - Foto: REL/Reuters

Stoltenberg: Është esenciale që të shmanget çfarëdo përshkallëzim i mëtejmë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenbeg ka takuar në Bruksel presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.

Pas takimit, Stoltenbeg deklaroi se mirëpret hapat e fundit e ndërmarrë nga Prishtina për të ulur tensionet duke përfshirë, zvogëlimin e numrit të forcave speciale të Policisë së Kosovës në veri, teksa shoti se është esenciale që të shmangen çfarëdo eskalimi i mëtejmë.

“I mirëpres hapat e fundit që janë ndërmarrë nga Prishtina për të ulur tensionet duke përfshirë, zvogëlimin e numrit të forcave speciale të Policisë së Kosovës në veri dhe planet për të mundësuar zgjedhjet e reja komunale”- tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

“Është esenciale që të shmangen çfarëdo eskalimi i mëtejmë dhe i inkurajojmë të dyja palët që të veprojnë në përputhje me zotimet e tyre”- shtoi ai.

Stoltenbeg u shpreh se NATO mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe se mirëpret takimin e javës së ardhme në nivel të lartë.

“NATO mbështetë fuqimisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës dhe mirëpresim takimin e javës së ardhshëm që është e vetmja mënyre e zgjidhjes së çështjeve të mbetura. Kjo kërkon durim insistim dhe kompromis. Kjo është mundësi për Kosovën që të demostrojë që është palë e përgjegjshme që vepron në mënyrë konstruktive në dobi të sigurisë euroatlantike”- theksoi ai.

Sekretari i NATO-s, gjithashtu tha se me presidenten Osmani, kanë diskutuar për tensionet në veri të Kosovës dhe rëndësinë e prezencës së misionit paqeruajtës të NATO-s.

“Diskutuam për tensionet e fundit në veri të Kosovës dhe rëndësinë e prezencës së misionit paqeruajtës të NATO-s në mandatin e rezolutës 12/44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Trupat tanë të KFOR-it janë sulmuar më herët këtë vit duke lënë 93 prej tyre të lënduar, prej tyre disa në masë serioze dhe kjo është plotësisht e papranueshme. Stabiliteti i rajonit dhe siguria e trupave të KFOR-it bëhet nga të gjitha palët që respektojnë zotimet ekzistuese. NATO-ja konsideron këtë të ketë rëndësinë më të lartë dhe kërkon që këto të repsketohen”- tha Stoltenbeg .

Situata në veri të Kosovës është tensionuar në fund të majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut po hynin në ndërtesat komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

Për shkak të tensioneve në veri, NATO-ja ka rritur numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it.

Takimi i 14 shtatorit, është i pari që mund të realizohet mes Kurtit dhe Vuçiqit prej rritjes së tensioneve në veri, qysh në fund të majit.