Kryeministri Starmer në fjalimin e 4 shkurtit 2026 në Parlamentin britanik. Burimi: Facebooku i Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar

Starmer përballet me thirrje për dorëheqje, teksa rihapet debati për Mandelsonin

Kryeministri britanik, Keir Starmer, është përballur të premten (17.04.2026) me thirrje të përsëritura nga kundërshtarët politikë që të japë dorëheqjen pasi u zbulua se ish-ambasadori i tij në Shtetet e Bashkuara nuk e kishte kaluar verifikimin e sigurisë dhe prapëseprapë i ishte lejuar të emërohej, raporton Reuters.

Qeveria ka konfirmuar të enjten se Mandelson, i cili u shkarkua më pas pasi Starmer tha se kishte gënjyer për shkallën e marrëdhënieve me shkelësin seksual, Jeffrey Epstein, nuk e kishte kaluar verifikimin e sigurisë para se ta merrte detyrën.

Qeveria ka theksuar se Starmer nuk ishte në dijeni se zyrtarët në Ministrinë e Jashtme kishin rrëzuar rekomandimin e verifikimit dhe një burim ka treguar se zyrtari më i lartë në Ministrinë e Jashtme, Olly Robbins, do të tërhiqet nga detyra pasi më nuk gëzon besimin e kryeministrit Starmer.

“Nuk mendoj se kryeministri mund t’i shpëtojë përgjegjësisë duke shkarkuar Olly Robbinsin. Mendoj se përgjegjësia duhet të bjerë mbi z. Starmer” – ka deklaruar për radio BBC-në, lideri i liberaldemokratëve, Ed Davey. “Mendoj se provat sugjerojnë se ai e ka mashtruar Dhomën e Komunëve (parlamentin) dhe e ka mashtruar publikun. Kjo bie ndesh me të gjitha rregullat, dhe për këtë arsye kemi kërkuar që ai të largohet”.

Starmer më parë ka kërkuar falje për emërimin, por ka mbrojtur veprimet e tij, duke akuzuar Mandelsonin për krijimin e “një mali mashtrimesh” për lidhjet me Epsteinin, dhe ka premtuar të publikojë dokumentet sesi ishte emëruar.

Ministri Darren Jones i ka deklaruar LBC-së se Starmer ishte ” tërbuar” që nuk iu tregua se Mandelsoni nuk e kishte kaluar verifikimin e sigurisë dhe se të hënën do ta informojë parlamentin. Ai ka treguar se Starmer nuk e kishte mashtruar parlamentin dhe se procesi ishte zbatuar, por ishte i gabuar.

“Nuk mendoj se kjo e vë në pikëpyetje të ardhmen e kryeministrit” – ka deklaruar Jones.

Mandelson po hetohet nga policia për rrjedhje të dyshuar të dokumenteve qeveritare te shkelësi seksual, Jeffrey Epstein. Ai nuk ka komentuar publikisht mbi akuzat se ka nxjerrë dokumente, dhe një avokat i Mandelsonit nuk ka komentuar të enjten lidhur me procesin e verifikimit.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com