Sot në Ohër, takimi i radhës Kurti-Vuçiq

Në Ohër të Maqedonisë së Veriut sot pritet të mbahen takimet e radhës në kuadër dialogut Kosovë-Serbi.

Sot është paraparë të mbahet edhe takimi i radhës mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Para takimit Kurti-Vuçiq që do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesit e lartë të BE-së, pritet ta ketë takime të ndara.

Duke filluar nga ora 10:30, sipas njoftimit të Bashkimit Evropian, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Koha e takimit trilateral ende nuk dihet, ndërsa tema pritet të jetë aneksi për zbatimin e planit të Bashkimit Evropian i njohur si plani franko-gjerman.

Mediave dhe publikut, në ora 10:30 pritet t’i drejtohet edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovachevski, i cili mbrëmë ka pasur takim me emisarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabrieiel Escobar ndërsa në orët e para të ditës së sotme pritet t’i takojë edhe Borrell e Lajçak.

Takimi i Ohrit ishte paralajmëruar më datën 27 shkurt, ku u zhvillua një takim me dakordim për planin franko-gjerman, mirëpo pa marrëveshje të nënshkruar.

Bashkimi Evropian dhe SHBA-të vazhdimisht kanë kërkuar nga palët ta pranojnë planin franko-gjerman, pasi që sipas tyre kjo është një marrëveshje e mirë për të ardhmen e të dyja vendeve.

KALLXO.com do të iu mbajë të informuar për zhvillimet e sotme në Ohër.

Përmbajtja e planit franko-gjerman