QKMF në Skenderaj Foto: Komuna e Skenderajt

Skenderaj - Në kohë pandemie rëntgeni në QKMF jashtë funksionit

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Skenderaj “Dr. Fatmir Fazliu” ka një vit që nuk po funksionon pajisja e ekzaminimit të rëntgenit në mushkëri.

Në këtë kohë pandemie, ky ekzaminim kërkohet të bëhet në rastet kur personi i infektuar me COVID-19 ka simptoma të përkeqësimit të mushkërive dhe frymëmarrjes.

G. V., qytetar nga Skenderaj ishte në ditën e gjashtë të përballjes me COVID-19 kur vendosi që të shkojë në QKMF në të bëjë rëntgenin.

Ai në një prononcim për KALLXO.com tregoi se nga aty e orientuan për në ordinanca private, pasi pajisja e rëntgenit ka një vit që nuk është funksionale.

“Që 6 ditë jam duke u trajtuar në banesë, me terapi, dita dikund po më kushton 50€. Sot kam përfunduar terapinë, interesohem rreth analizave dhe rëntgenit që më kërkon doktori, për konsultë thirri nëe mjekësi familjare në Skenderaj, e me thonë që këtu bëhet vetëm Hemogrami, ndërsa rëntgeni nuk punon pothuajse që një 1 vit. Më kanë thënë shko në privat bëje, pak po i kemi shpenzimet tjera për me pagu edhe 10 euro në privat, sepse në Skenderaj janë dy ordinanca që e kryejnë këtë shërbim. I bëra të gjitha analizat private. Vetëm desha të ngrij si shqetësim, si është e mundur në kohë pandemie mos me funksionu rtg”, u shpreh ai.

Lidhur me pretendimet e qytetarit, KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e QKMF-së në Skenderaj, Osman Veliu.

Veliu ka pohuar se rëntgeni ka një defekt shumë të vjetër, por që nuk kanë ardhur ende ta evitentojnë.

Ai beson se brenda 5-10 ditësh do të bëjnë zgjidhje për këtë problem.

“Është e vërtetë që aparati i rëntgenit nuk kryen ekzaminimet që kanë të bëjnë me kraharorin (pra edhe të mushkërive) m`u siç është shprehur pacienti. Është një defekt tamam i vjetër të cilin nuk kemi arritur ta evitojmë për shkak se me fillimin e pandemisë ka pas shumë probleme me gjet pjesën rezervë për aparatin si dhe problemeve me operatoret ekonomik që nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë furnizimin për shkak të specifikave të pjesës së munguar. Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale dhe po shpresoj se brenda 5- 10 ditëve do të bëjmë një zgjidhje në lidhje me këtë problem”, u shpreh Veliu.

Veliu deklaroi se janë në përpjekje që nga fillimi i vitit ta zgjerojnë listën e ekazamnimieve laboratorike dhe atyre të rëntgenit.

“Sa i përket laboratorit kryhen pasqyra e gjaku, sedimentimi, urea, glicemia, kreatinina, kolesteroli, urina, Hba1C. Jemi në përpjekje që nga fillimi i vitit ta zgjerojmë gamën e ekzaminimeve laboratorike si dhe atyre të rëntgenit. Nga ekzaminimet e rëntgenit, tamam nuk kryhen ekzaminimet e kraharorit si dhe ekzaminimet e tërësisë së shtyllës kurrizore, tjerat kryhen”, deklaroi ai.

Më tej, ai u ankua për ngadalësimin e procedurave të prokurimit nga ana e Qeverisë.

“Unë personalisht ndjej shumë keqardhje që nuk kemi arritur me kohë me e rregullu këtë çështje por unë kam ardh si ushtrues detyre drejtori këtu pas fillimit të pandemisë dhe mund të them se çdo ditë pune ka qenë një ferr i vërtet edhepse është përfolur se ka pasur përshpejtim të procedurave tëe prokurimit nga ana e Qeverise, kjo nuk ka ndodhur në praktikë dhe ne kemi vuajtur shumë për të zgjidhur edhe problemin më të vogël në lidhje me prokurimin”, tha ai.