Hollywood | Foto: Pixabay

Skenaristët e Kalifornisë vazhdojnë grevën duke i kushtuar miliona dollarë Hollivudit

Një grevë e skenaristëve në Hollivud po vazhdon prej dy muajsh, duke e ndërprerë në thelb prodhimin e skenarëve televizivë dhe duke i kushtuar Kalifornisë miliona dollarë humbje çdo ditë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Angelina Bagdasaryan sjell më shumë hollësi.

Që nga fillimi i majit, skenaristët në Hollywood kanë qenë çdo ditë jashtë studiove të filmave, nga ora 10 e mëngjesit deri në orën 14:00, me tabela në dorë duke kërkuar paga më të mira.

Skenaristi i Hollivudit, Stuart Beattie, i cili shkroi skenarin për Piratët e Karaibeve dhe Unë, Frankenstein-i thotë se jeta e tij ka ndryshuar drejtim –në vend që të shkruaj skenarë, ai tani është i zënë me protestën çdo ditë, duke luftuar për të drejtat e tij.

“Askush nga ne nuk donte të ishte këtu. Të gjithë do të donim të tregonim histori. Por jemi detyruar të dalim këtu në protesta”.

Skenaristi Beattie del në grevë bashkë me të djalin e tij – një skenarist i ardhshëm gjithashtu. Gjatë serisë së fundit të grevave në vitin 2007, të dy shkuan gjithashtu bashkë.

“Në vitin 2007 kisha djalin me vete; ai ishte shumë më i vogël atëherë. Tani është shumë më i madh, kështu që ky është ndryshimi. Por në vitin 2007 m’u desh t’u shpjegoja njerëzve pse po protestonim – njerëzit nuk e kuptonin, disa madje ishin të zemëruar me ne që protestonim.”

Sipas Institutit Milken, greva e vitit 2007 i kushtoi Kalifornisë afërsisht 2 miliardë dollarë. Sipas Shoqatës së Shkrimtarëve, kjo grevë tani po i kushton Kalifornisë dhe Hollivudit rreth 30 milionë dollarë në ditë të ardhura të humbura.

Edhe bizneset e vogla të Kalifornisë po vuajnë. Pastruesit kimik të firmës Milt & Edie janë gjithashtu në pozitë të vështirë. Përpara grevës, drejtori i përgjithshëm Robert Shapiro thotë se shumë studio të mëdha vinin për t’u kujdesur për kostumet e tyre.

“Padyshim që kemi parë një rënie në biznesin tonë, kryesisht për shkak se shumë shfaqje kanë pushuar së xhiruari, dhe si rezultat po shohim shumë më pak stilistë dhe klientë që vijnë.

Restorantet dhe artistët e grimit po humbasin gjithashtu para, ashtu si edhe parukierët, luleshitësit, dekoruesit dhe elektriçistët.

Për momentin, nuk ka asnjë shenjë se sa mund të zgjasë greva. Asnjë bisedë midis studiove dhe shkrimtarëve nuk është planifikuar dhe ka një shans që anëtarët e Shoqatës së Aktorëve të Ekranit të hyjnë gjithashtu në grevë. Kontrata e tyre skadon të premten./VOA