Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Skandaloze: Ligji nuk zbatohet për zjarrfikësit

Ligji për siguri dhe shëndet në punë kërkon që secili i punësuar të kryejë kontrolle mjekësore para se të nisë punën.

Kontrollet e tilla duhet të kryhen në mënyrë periodike varësisht nga profesioni dhe rrezikshmëria në punë.

Një hulumtim i KALLXO.com zbulon se zjarrfikësit e Kosovës edhe pse kanë një punë me rrezikshmëri të lartë nuk i janë nënshtruar asnjëherë kontrolleve të tilla.

“Asnjëherë nuk janë bërë kontrolle mjekësore ashtu siç e parasheh udhëzimi administrativ nr. 39/2012-MPB” – thotë Malë Gashi, zëvendëskomandant i Zjarrfikësve në Prishtinë.

Ai tha se shpreson që këtë vit këto kontrolle mjekësore do të bëhen nga Komuna e Prishtinës.

Situata është e ngjashme edhe në rajonet e tjera.

Muharrem Beka nga Sindikata e Zjarrfikësve thotë se me këtë problem përballen rreth 500 zjarrfikës në mbarë vendin ndërsa problemi qëndron te mungesa e qartësimeve se kush duhet ta paguajë kontrollin MPB apo komunat.

“Për çdo kërkesë që ua kemi parashtru komunave, përgjigjja ka qenë se ‘me ligj jeni staf i MPB-së dhe ata janë përgjegjës për plotësimin e kërkesave tuaja’. Kurse kur i jemi drejtuar nivelit qendror, përgjigjja tash këtë vit është se komunat kanë përgjegjësi për plotësimin e kërkesave tuaja” – thotë Beka.

Në Komunën e Prishtinës fajin për mungesë të kontrolleve mjekësore për zjarrfikësit ia hedhin Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Ligjërisht, zjarrfikësit sa i përket strukturës organizative i takojnë Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, përkatësisht Ministrisë së Punëve të Brendshshme”- thotë Lulëzim Fushtica, drejtor i Emergjencave në Prishtinë.

Ai potencoi se ka kërkuar që zjarrfikësit të jenë nën përgjegjësi të Komunë, dhe prapë kërkojnë, por për momentin janë me Agjencinë.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje edhe Agjencisë për të kuptuar më shumë lidhur me këto paqartësi.

Në përgjigje nga Agjencia thonë se janë duke u bërë hapa drejt qartësimit të kompetencave.

“Qartësimi do bëhet në përmbylljen e procesit të rishikimit në bazën ligjore dhe dokumenteve strategjike, e sidomos për kapacitetin reagues me procesin e rishikimit dhe plotësim-ndryshimeve ne Ligjin për zjarrfikje dhe shpëtim, i cili pritet të marrë formën përfundimtare nga grupi i ekspertëve  nga të dy nivelet e qeverisjes (qendrore dhe lokale), në periudhën e ardhshme” – ka thënë Nehat Koqinaj nga kjo Agjenci.

Por, çka parasheh udhëzimi administrativ nr. 39/2012?

Ky udhëzim përcakton kriteret psiko-fizike të zjarrfikësve, e brenda tij gjendet edhe dispozita që rregullojnë kontrollet mjekësore për zjarrfikësit, kategoritë, llojet e kontrolleve dhe periudhat kohore që duhet të bëhen sipas kategorive.

Kategoria A, e cila përfshin: zjarrfikësit profesionalë, të përfshirë drejtpërdrejt në operacione të reagimit për fikjen e zjarrit dhe shpëtim, ata duhet të realizojnë kontrollime çdo vit, e që sipas këtij udhëzimi njihet si kontroll i rregullt.

Përveç kontrollit të rregullt ky udhëzim njeh edhe kontrollin e jashtëzakonshëm, i cili zbatohet kur ekziston dyshimi i bazuar për gjendjen psiko-fizike të zjarrfikësit.

Raste të tilla mund të jenë: me kërkesën e komandantit të njësisë, me kërkesë personale. pas përfundimit të pushimit mjekësor prej 90 ditësh, me rekomandim të mjekut të autorizuar nga mjekësia familjare, dhe me rekomandim të mjekut specialist të kontraktuar për mjekësi të punës.

Sipas nenit 12 të këtij udhëzimi parashihen edhe  afatet e kontrollit mjekësor.

Në kontrollim të rregullt zjarrfikësi dërgohet brenda 15 ditëve para skadimit të vlefshmërisë së certifikatës paraprake.

Komunat të cilat kanë marrë përsipër t’i kryejnë disa obligime, sipas kryesindikalistit Beka, janë ajo e Prishtinës, e Podujevës dhe e Suharekës. Ato pjesërisht i kanë kryer disa obligime si

kompensimet për ndërrimet e natës, festat dhe orët jashtë orarit.