Foto: ZPRK
Situata në veri, presidentja Osmani takoi emisarin Sarrazin dhe ambasadorin Rohde
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
Sipas komunikatës së Presidencës, në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës pas sulmit terrorist të grupeve kriminale serbe që rezultoi me vdekjen e një polici dhe lëndimin e disa tjerëve.
“Presidentja ka theksuar se veprimet terroriste dhe akti i agresionit në veri janë të orkestruara dhe zbatuara nga struktura të mbështetura nga Beogradi. Veprimet e tilla përbëjnë cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe për këto veprime duhet sanksionuar Serbinë”- thuhet në komunikatë.
Tutje sipas komunikatës, Kosova ka ndërmarrë veprime muajt e fundit për ta shtensionuar situatën në veri të vendit dhe se Policia e Kosovës ka treguar profesionalizëm të lartë në përballje me grupet kriminale serbe.
“Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë dhe koordinimit të vazhdueshëm me ta në përpjekje për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm”- thuhet tutje në komunikatë.
Presidentja Osmani në këtë takim ka përsëritur se veprimet e Policisë së Kosovës kundër strukturave ilegale e grupeve kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim.
Sarrazin sot ka takuar edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Pas takimit, Sarrazin ka thënë se të dielën është parë një situatë e tmerrshme.
“E dënojmë fuqishëm këtë sulm kriminal dhe terrorist ndaj Policisë së Kosovës. Jemi këtu për të shprehur solidaritetin dhe ngushëllimet për familjarët, Policinë e Kosovës dhe të gjithë shtetin” – ka thënë Sarrazin.
Pjesëtari i Policisë së Kosovës Agrim Bunjaku u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.
Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.
Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.
Sarrazin: E dënojmë fuqishëm sulmin kriminal ndaj Policisë së Kosovës