Takimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me Emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin
Sarrazin: E dënojmë fuqishëm sulmin kriminal ndaj Policisë së Kosovës
Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, sulmin ndaj Policisë së Kosovës të dielën në veri, e ka quajtur kriminal dhe terrorist.
Pas takimit të zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti, Sarrazini ka thënë se të dielën është parë një situatë e tmerrshme.
“E dënojmë fuqishëm këtë sulm kriminal dhe terrorist ndaj Policisë së Kosovës. Jemi këtu për të shprehur solidaritetin dhe ngushëllimet për familjarët, Policinë e Kosovës dhe të gjithë shtetin”, ka thënë Sarazin./Rtklive
Me vendim të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dita e hënë, 25 shtator 2023, është shpallur ditë zie shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku.
Dje ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka reaguar pas vrasjes së policit duke thënë se SHBA-të dënojnë ashpër sulmet e orkestruara, të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës mëngjesin e 24 shtatorit.
Pjesëtari i Policisë së Kosovës Agrim Bunjaku u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.
Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.
Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.