Situata në Kosovë dhe raportet me ndërkombëtarët, Abdixhiku ka një thirrje për presidentes Osmani

Pas takimet me emisarët Escobar dhe Lajçak, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku foli para mediave duke  thënë se një gjendje e tillë në Kosovë nuk është parë në 33 vitet e përpjekjes për liri, pavarësi e demokraci në Kosovë.

Pas takimit me emisarët Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, Abdixhiku i ka bërë thirrje edhe presidentes Vjosa Osmani, sipas tij, të jetë më e zëshme.

“Gjendje e paparë për ne në këto 33 vite përpjekje për liri, pavarësi, demokraci. Qytetarët të kuptojnë përtej populizmit, rrugën e Kurtit. Unë shpresoj të reflektojë dhe i bëjë thirrje edhe presidentes që të bëhet me e zëshme” – tha Abdixhiku para gazetarëve.

Ai komentoi edhe mocionin e mosbesimit të paraqitur nga AAK-ja, duke thënë se është vetëm një veprim politik.

“Mocioni është veprim politik dhe realizohet kur ka gjasë. Ju i dini numrat e opozitës në Kuvend, jemi të shqetësuar për rrugën përpara” – tha Abdixhiku.

“Si parti opozitare po e ngris shqetësimin në gjendjen e paprecedent historike që gjendet Kosova” – tha në fund kreu i LDK-së, pas takimit me Escobar dhe Lajçak.

Të dy emisarët erdhën në Kosovë pas situatës së krijuar në veri të vendit.

Ata kanë arritur dje në Prishtinë, duke zhvilluar takimin e parë me kreun e ekzekutivit, Albin Kurtin, ndërsa sot pritet t’i takojnë edhe liderët e partive opozita te për të vazhduar pastaj edhe në kryeqytetin serb, Beograd.

Pas takimit të djeshëm me Kurtin, Lajçak përsëriti edhe njëherë kërkesat e BE-së, karshi palës kosovare.

“Ne kemi paraqitur propozime në emër të bashkësisë ndërkombëtare që përmban tre elemente: E para: shtensionimi i situatës në terren. E dyta: zgjedhje të reja të shpejta në veri, dhe së treti: rikthimi në dialog dhe procesi i normalizimit” – ka thënë Lajçak pas takimit.

Ndërsa Escobar theksoi se nuk ka parë kaq shumë unitet në komunitetin transatlantik dhe se pothuajse çdo mik i Kosovës ka bërë të njëjtat kërkesa.

“Nuk kam parë kaq shumë unitet në komunitetin transatlantik, nga SHBA, Bashkimi Evropian, NATO dhe pothuajse secili mik i Kosovës kanë bërë të njëjtat kërkesa. Shpresoj që do të dëgjohemi. Jemi në fillim të misionit tonë” – ka deklaruar Escobar.

Sipas zëdhënësit të BE-së Petar Stano, emisarët kanë ardhur në Kosovë rikonfirmuar kërkesat e Brukselit dhe Uashigntonit, në lidhje me hapat urgjent që duhet ndërmarrë drejt qetësimit të situatës në veri të Kosovës.

“Lajçak dhe Escobar do përcjellin thirrjet evropiane dhe amerikane ndaj Serbisë dhe Kosovës për të de-përshkallëzuar menjëherë situatën dhe për të ndërmarrë hapa që ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme. Ndërsa platforma për zgjidhje të qëndrueshme dhe për të kërkuar zgjidhje të qëndrueshme është pikërisht dialogu i lehtësuar nga BE-ja”, ka deklaruar Peter Stano.

Krasniqi pas takimit me Escobar e Lajçak: Asnjëherë nuk kam parë shqetësim më të madh te ndërkombëtarët