Foto: KALLXO.com

Situata me vërshime, flet kryetari i Vushtrrisë

Reshjet e shiut mbrëmë në Vushtrri sollën vërshime dhe situatë të rënduar dhe për këtë komuna shpalli gjendje emergjente.

Kryetari i Vushtrrisë Ferit Idrizi e ka vlerësuar situatën si të rëndë natën e mbrëmshme, por që sot gjendja është e qetë dhe nën kontroll.

Idrizi tha mbrëmë deri pas mesnatës kanë qenë në terren për t’iu dal në ndihmë qytetarëve.

“Mbrëmë kemi pas thirrje shumë nga qytetarët të cilët iu kemi dal në ndihmë bashkë me qytetarët dhe kompanitë që në mënyrë vullnetare na kanë ndihmuar deri në ora 01:00 pas mesnatës. Ka qenë situatë bukur e rëndë, por ka kaluar pa pasoja në njerëz, vetëm me dëme materiale” – tha Idrizi për KALLXO.com.

“Sot gjendja është e qetë dhe nën kontroll. Kompania “Përparimi” i ka pastruar rrugët dhe për momentin çdo gjë është nën kontroll” – deklaroi Idrizi.

Kryetari i Vushtrrisë tha se sot kanë mbajtur mbledhjen e shtabit emergjent ku një ndër pikat e rendit të ditës ka qenë themelimi i një komisioni ad-hoc për vlerësimin e dëmeve.

“Sot kemi mbajtur mbledhjen e shtabit emergjent me tre pika të rendit të ditës, një ka qenë gjendja pas vërshimeve, dy: mobilizimi për situatën dhe tre formimi i komisioni për vlerësimin e dëmeve. Komisioni do të del ne teren për të bërë vlerësimin e dëmeve që të kërkojmë nga qeveria buxhet sepse komuna nuk ka buxhet me i vlerësu dëmet” – tha ai për KALLXO.com

Mbrëmë komuna e Vushtrrisë ka shpallur gjendje të emergjente për shkak të vërshimeve.

Ajo dje u ka bërë thirrje banorëve që jetojnë afër lumit Tërstena dhe Podranqa të evakuohen.