Foto:ZKM

Situata e sigurisë, Kurti tregon se çka kërkoi nga emisari Escobar dhe ambasadori Hovenier

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se pas situatës së krijuar dje, ku në Leposaviq u kidnapuan tre zyrtarë policorë kufitarë nga forcat serbe, ka komunikuar përmes telefonit me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esocbar, dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

Kurti tha se pati një kërkesë për zyrtarët amerikanë, por nuk pati ndonjë përgjigje pozitive.

“Mbrëmë kam pasur një bisedë telefonike me të dy, edhe me emisarin Special Amerikan, Gabriele Escobar edhe me Ambasadorin Amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier me të cilët kemi diskutuar situatën e sigurisë dhe unë u kam thënë  që pres që KFOR-i të më sjell informacion mua në formë të vlerësimit dhe konkluzionit para mbledhjes së Këshillit të Sigurisë e cila u mbajt sot në ora 07:00 të mëngjesit këtu në Kryeministri” – tha Kurti.

“Mirëpo, asnjë informacion. Pra, në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë ne kemi shkuar sot vetëm me informacionet e Republikës së Kosovës, të cilat janë qartazi të sakta dhe të vërteta” – deklaroi ai para gazetarëve.

Ai ka folur edhe për mos-reagimin e ndërkombëtarëve pas arrestimit të tre zyrtarëve policor dje në kufirin Kosovë-Serbi.

“Ajo çfarë është e çuditshme është heshtja  dhe toleranca e faktorëve ndërkombëtar ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht kërkon pretekste për eskalim dhe destabillizim” – tha Kurti.