Ilustrim

Sipas Prokurorisë, prerësit ilegalë të pyjeve korruptuan me para e cigare rojet e teknikët e pyjeve në Ferizaj

13 persona, ndër ta gjashtë roje të pyjeve, tre teknikë të pylltarisë dhe katër qytetarë, po akuzohen nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje dhe dhënie ryshfeti.

Një aksion policor nën urdhrat e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, përfundoi me arrestimin e disa personave.

Dyshimet ishin se disa zyrtarë komunal të Drejtorisë së Bujqësisë e Pylltarisë po keqpërdornin detyrën zyrtare e në anën tjetër, kishte edhe qytetar që po dyshoheshin për dhënie ryshfeti.

KALLXO.com ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj të ngritur gjatë ditës së djeshme e ku në detaje përfshihen të gjitha veprimet që dyshohet se i kanë ndërmarrë të pandehurit.

Veprimet e zyrtarëve e qytetarëve janë përshkruar në aktakuzën 24 faqesh të Prokurorisë së Ferizajt.

Cili ishte roli i rojeve dhe i teknikëve të pylltarisë në prerjen e drunjtëve ilegalisht në Ferizaj?

Gjashtë roje të pyjeve në kuadër të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë në Komunën e Ferizajt do të përballen me veprat penale keqpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar.

Beqë Uka, Hasim Balija, Ramadan Ukzmajli, Bahri Baliu, Ibrahim Halilaj dhe Avdi Agushi ishin roje pylli në Komunën e Ferizajt.

Përveç këtyre gjashtë rojeve, të akuzuar janë edhe tre teknik të pylltarisë, Sabedin Mustafa, Ahmet Bajraktari dhe Naim Avduli.

Aktakuza përshkruan se roja Beqë Uka së bashku me teknikun e pylltarisë Sabedin Mustafa në muajin shtator të vitit të kaluar, në cilësi të personave zyrtar, nuk kishin kryer detyrat e tyre ashtu siç është e përshkruar në ligjin për mbrojtjen e pyjeve dhe nuk kishin identifikuar dhe verifikuar disa dëmtues të pyjeve.

Të njëjtit, sipas prokurorisë, nuk kishin ndërmarr veprimet zyrtare në identifikimin, verifikimin e dokumentacionit, matjes dhe fotografimit të druve dhe mjetit transportues. Të njëjtit bisedojnë mes vete ku Sabedini i thotë Beqës që ‘të dy palëve duhet me jua marr shënimet se njëqind herë iu kam thënë dru mos mu ndalë këtu pari me pre, k’ta apet janë t’u vazhdu me të njëjtin avaz, fotot dhe shënimet e të dyve’, mirëpo nuk ndërmarrin asgjë, largohen, duke i mundësuar kështu të njëjtit prerjen dhe bartjen e drunjëve në mënyrë të kundërligjshme, ndërsa Njësisë së Pylltarisë në Komunën e Ferizajt i shkaktojnë dëm material në vlerë të papërcaktuar.

Një situatë të tillë të njëjtit e kishin përsëritur edhe disa ditë më pas, më saktësisht më datë 5 shtator të vitit 2020, përkatësisht në Njësinë menaxhuese Nerodime-Jezerc. Roja Beqë Uka dhe tekniku i pylltarisë Sabedin Mustafa, kishin hasur sërish në persona të cilët po dëmtonin pyjet dhe nuk i kishin identifikuar dhe verifikuar të njëjtit.

“I pandehuri Sabedin Mustafa i drejtohet me fjalët se ‘cili je ti’ dhe ‘hej o ti djalë s’të ka pa kurrkush, hec shpejt a’, ndërsa nuk ndërmarrin asnjërin nga veprimet zyrtare të lartcekura, largohen, duke i mundësuar kështu të njëjtit prerjen dhe transportimin e drunjëve në mënyrë të kundërligjshme, ndërsa Njësisë së Pylltarisë në Komunën e Ferizajt i shkaktojnë dëm material në vlerë të papërcaktuar”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Tekniku i pylltarisë një situatë të tillë e kishte përsëritur edhe me një roje tjetër pylli, Hasim Baliajn.

Më 4 dhe 10 shtator të vitit të kaluar në Njësinë menaxhuese Nerodime-Jezerc, nuk kishin verifikuar, identifikuar dokumentacionin, fotografuar drunjtë dhe mjetin transportues të dëmtuesve të pyjeve.

Dosja e Prokurorisë shpjegon se si tekniku i pylltarisë, Sabedin Mustafa i drejtohet me fjalët një prerësi ilegal të drunjëve se  ‘a mun i qut deri sa i patët letrat’ e pastaj fyhen me fjalë mes vete, ndërsa i pandehuri roja e pyllit Hasim Balija i drejtohet personit tjetër me fjalët se ‘a doni me pagu naj pulë’, ku me ta përfunduar bisedën largohen duke mos ndërmarrë asnjë veprim zyrtar si dhe duke i mundësuar kështu të njëjtit prerjen dhe transportimin e drunjëve në mënyrë të kundërligjshme, ndërsa Njësisë së Pylltarisë në Komunën e Ferizajt i shkaktojnë dëm material në vlerë të papërcaktuar.

Tekniku i pylltarisë Sabedin Mustafa akuzohet edhe për një rast tjetër, atë të datës 9 shtator të vitit të kaluar ku në Njësinë menaxhuese Nerodime-Jezerc edhe përkundër faktit se has në dëmtues të pyjeve, i njëjti nuk ndërmerr veprimet zyrtare në drejtim të identifikimit, verifikimit të dokumentacionit, matjes dhe fotografimit të druve dhe mjetit transportues, mirëpo u drejtohet me fjalët prerësve ilegal se ‘unë s’di kurrgja’, vazhdon rrugën, duke i mundësuar kështu të njëjtit prerjen dhe transportimin e drunjëve në mënyrë të kundërligjshme ndërsa Njësisë së Pylltarisë në Komunën e Ferizajt i shkakton dëm material në vlerë të papërcaktuar.

Një tjetër rast ku është i përfshirë sërish tekniku i pylltarisë, Sabedin Mustafa është edhe ai me kolegun e tij Ahmet Bajraktarin.

Të dy sipas Prokurorisë më 14 shtator të vitit të kaluar rreth orës 18 e 33 në mbrëmje, në Njësinë menaxhuese Nerodime-Jezerc, kishin hasur në dëmtues të pyjeve dhe nuk kishin ndërmarrë veprime konform ligjit.

“I pandehuri Sabedin Mustafa i drejtohet me fjalët se ‘unë jam përgjegjës për këtë rajon’ dhe ‘unë nuk të kam pa’, largohet nga aty, duke i mundësuar kështu të njëjtit prerjen dhe transportimin e drunjëve në mënyrë të kundërligjshme, ndërsa Njësisë së Pylltarisë në Komunën e Ferizajt i shkaktojnë dëm material në vlerë të papërcaktuar”, thuhet në aktakuzë.

Sabedin Mustafa së bashku me rojën tjetër Avdi Agushin akuzohen edhe se mbrëmjen e 27 shtatorit të vitit të kaluar në të njëjtën njësi ashtu siç është përmendur edhe më lartë në cilësi të personave zyrtar nuk kishin ndërmarrë veprimet ligjore për personat të cilët i kishin hasur duke prerë drunjë ilegalisht.

“Të pandehurit vetëm ndalen dhe bisedojnë me një person–dëmtues të pyllit, i cili ishte me traktor të ngarkuar me drunjë, dhe vazhdojnë prapë rrugën, duke i mundësuar kështu të njëjtit prerjen dhe transportimin e drunjëve në mënyrë të kundërligjshme, ndërsa Njësisë së Pylltarisë në Komunën e Ferizajt i shkaktojnë dëm material në vlerë të papërcaktuar”, thuhet tutje në aktakuzë.

Tre rojet e pyjeve në Ferizaj, Ramadan Ukzmaji, Bahri Baliu dhe Ibrahim Halilaj më 11 shtator të vitit të kaluar në Njësinë menaxhuese Nerodime-Jezerc, edhe përkundër faktit se hasin në dëmtues të pyjeve, të njëjtit nuk ndërmarrin veprimet zyrtare në drejtim të identifikimit, verifikimit të dokumentacionit dhe fotografimit të druve dhe mjetit transportues, mirëpo me t’u ofruar personi tek vetura fillojnë bisedën me të dhe në bisedë e sipër e pyesin se ‘ku i ke prerë drutë, anej a knej, të trasha i paske pre’ e më pas largohen nga aty, duke i mundësuar kështu të njëjtit prerjen dhe transportimin e drunjëve në mënyrë të kundërligjshme, ndërsa Njësisë së Pylltarisë në Komunën e Ferizajt i shkaktojnë dëm material në vlerë të papërcaktuar.

Të lartpërmendurit, Ukzmaji, Baliu dhe Halilaj një situatë të tillë e kishin toleruar edhe më 1 tetor kur në këmbim që të mos i verifikoj dhe identifikoj dëmtuesit e pyjeve kishin kërkuar nga këta të fundit tre pako cigare, në po të njëjtën ditë nuk kishin identifikuar edhe disa dëmtues të tjerë të pyjeve madje në një rast të datës 2 tetor të vitit të kaluar, i pandehuri Bahri Baliu i drejtohet dëmtuesit me fjalët se ‘për mu mshoj mos ta nin‘ dhe vazhdojnë rrugën, duke i mundësuar kështu prerjen dhe transportimin e drunjëve në mënyrë të kundërligjshme.

Dosja e Prokurorisë përshkruan situata të shumta të cilat zyrtarët e pylltarisë kishin neglizhuar ndërsa dëmi i shkaktuar ndaj Komunës së Ferizajt, përkatësisht Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë është i papërcaktuar.

Përveç veprave për keqpërdorim të detyrës zyrtare, disa nga zyrtarët e Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë po akuzohen edhe për mbajtje të paautorizuar të armëve.

Teknikut të pylltarisë, Sabedin Mustafa gjatë kontrollit në ditën e arrestimit të tij në shtëpinë e të njëjtit iu gjet një pushkë gjuetie me tre fishekë, teknikut tjetër të pylltarisë Ahmet Bajraktari iu gjet një revole e tipit ‘TT’ me dy karikatorë dhe 30 fishekë por edhe një armë gjuetie.

Rojeve të pyllit, Avdi Agushit iu gjet një pistoletë revole me dy karikatorë dhe 59 fishekë. Të njëjtën armë sipas dosjes së Prokurorisë, me datë 28.09.2020 rreth orës 17:00, derisa gjendet në detyrë zyrtare, në territorin e Komunës së Ferizajt, përkatësisht në Njësinë menaxhuese Nerodime-Jezerc, i njëjti brenda veturës zyrtare, nxjerrë revolen e lartpërmendur nga çanta e krahut, të cilën e ekspozon para kolegut të tij Sabedin Mustafa.

Edhe rojës tjetër të pyllit Bahri Baliut gjatë bastisjes në shtëpinë e tij i ishte gjetur një pistoletë me një karikator të zbrazët dhe një pushkë gjuetie me 3 copë fishekë.

Rojës tjetër Hasim Baliajt i ishte gjetur dhe sekuestruar një armë automatike e tipit Kallashnikov, dy karikatorë, 17 fishekë si dhe një zinxhir i fishekëve.

Për këta zyrtar, Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe për armëmbajtje pa leje.

Si morën ryshfet zyrtarët e pylltarisë në Ferizaj?

Naim Avduli teknik i pylltarisë, Ramadan Ukzmajli dhe Bahri Baliu roje pylli, Ahmet Bajraktari teknik i pylltarisë, po akuzohen edhe për veprën penale marrje ryshfeti.

Dosja e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, thotë se më 2 dhjetor 2020 Ukzmajli dhe Baliu, në cilësinë e personave zyrtar, kishin pranuar nga i pandehuri Isuf Çerkini shumën e të hollave prej 20 eurove, ndërsa të njëjtit i mundësojnë për të prerë dhe transportuar dru në mënyrë të kundërligjshme, duke mos i shqiptuar fare fletëparaqitje.

Avduli e Bajraktari të dy teknik të pylltarisë, më 25 shtator të vitit të kaluar në fshatin Bibaj të Komunës së Ferizajt, po dyshohen se nga Nehat Abdullahu, kishin marrë ryshfet shumën e të hollave prej 10 eurove të cilat i ndajnë bashkërisht, me qëllim që të veprojnë ose mosveprojnë në pajtim me detyrën e tyre zyrtare.

Me datë 23.09.2020, sipas Prokurorisë në Ferizaj, Bajraktari rreth orës 11:38 në rrugën “Naim Beka” në Ferizaj, si teknik i pylltarisë pranë Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë në Komunën e Ferizajt, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkon dhe pranon si dhuratë apo përfitim tjetër për vete, nga Shefqet Avdyli, shumën e të hollave prej 10 eurove, me qëllim që të veproj apo mosveproj në pajtim me detyrën e tij zyrtare.

Një rast tjetër ku ishte i përfshirë për marrje ryshfeti i pandehuri Bajraktari, është ai i datës 25 shtator i vitit të kaluar kur nga i pandehuri Rasim Avdyli kishte pranuar shumën e të hollave prej 30 eurove, edhe atë një kartëmonedhë prej 20 euro dhe një tjetër prej 10 eurove, ndërsa të njëjtit i mundëson që të pres dhe transportoj dru në mënyrë të kundërligjshme, duke mos i shqiptuar fare fletëparaqitje.

Tekniku tjetër i pylltarisë, Naim Avduli, në dy raste të ndryshme më 30 shtator 2020 nga Ali Kosumi kishte marrë 10 euro ndërsa Heset Nezirit i kishte kërkuar ryshfet 100 euro për prerje të drunjëve ilegalisht.

Me këto veprime, zyrtarët e pylltarisë në Ferizaj kanë kryer edhe veprën tjetër penale marrje ryshfeti.

Sa paguan qytetarët zyrtarët komunal për prerje të drunjve ilegalisht?

Aktakuza 24 faqesh e Prokurorisë së Ferizajt përshkruan edhe rolin e qytetarëve dhe veprat penale për të cilat akuzohen ata.

Rasim Avdyli po akuzohet se i kishte dhënë ryshfet 30 euro teknikut të pylltarisë Ahmet Bajraktarit më 25 shtator 2020.

Ali Kosumi po akuzohet se i ka thënë Naim Avdulit, teknikut të pylltarisë, 10 euro ryshfet me qëllim që i njëjti t’i mundësoj prerjen dhe transportimin e drunjëve në mënyrë të kundërligjshme, duke mos i shqiptuar fletëparaqitje.

Qytetari tjetër Heset Neziri po akuzohet se i ka dhënë 100 euro ryshfet Naim Avdulit, teknikut të pylltarisë me qëllim që i njëjti t’i mundësoj prerjen dhe transportimin e drunjëve në mënyrë ilegale.

Isuf Çerkini, po akuzohet se më 2 tetor në fshatin Jezerc, i kishte dhënë ryshfet prej 20 eurove Ramadan Ukzmajlit dhe Bahri Baliut.

Këta qytetar sipas Prokurorisë po akuzohen për dhënie ryshfeti.