Njësia Speciale e Policisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Si u arratis nga vendi i ngjarjes një nga gjashtë të dyshuarit në grupin e ‘Kaçës’

Njëri prej grupit të të arrestuarve të së premtes në veri, i cili ka shtënë me armë në drejtim të Policisë së Kosovës, tanimë ndodhet në arrati dhe vendndodhja e tij është e panjohur për organet e drejtësisë.

I njëjti ende nuk është identifikuar.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës, Valon Preteni ka thënë për KALLXO.com, se i dyshuari është arratisur dhe mbetet i paidentifikuar deri më tani nga organet e rendit.

“Jemi duke punuar me Policinë e Kosovës për arrestimin e tij”- tha ai.

I dyshuari të cilit Prokuroria i referohet si N.N., u arratis nga vendi i ngjarjes pasi që kishte gjuajtur me armë zjarri në drejtim të Policisë.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com thuhet se N.N., kishte dalë nga automjeti nga i cili kishte shtënë dhe ka ikur në drejtim të panjohur.

“Zyrtari policor i kanë dhënë shenjë të ndalet por i njëjti nuk ka përfillur urdhrat e policëve dhe ka filluar të bëjë lëvizje mbrapa duke tentuar që të godas policët të cilët ishin pozicionuar në rrugë, gjatë lëvizjes mbrapa i pandehuri N.N e ka hapur derën e automjetit të tij dhe ka filluar të shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë ku ka dalë nga automjeti dhe kishte ikur në drejtim të panjohur”- thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Besim Zeqiri i njohur si ‘Kaça’, Aleksandar Mihajloviq i njohur si ‘Açko’, Zelko Koshanin i njohur si ‘Zeks’, Marko Miljkoviq dhe Jovan Gjukiq u arrestuan të premten nën dyshime për kontrabandim me mallra.

Gjykata e Mitrovicës ‘Kaçës’ dhe ‘Açko’s u ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, të shtunën më 12 gusht.

Ndërsa Zelko Koshani, Marko Miljkoviq dhe Jovan Gjukiq u liruan në procedurë të rregullt.

Vendim ky i marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake Genc Hasani bazuar në kërkesën e Prokurorisë për një masë të tillë, të përpiluar nga Ppokurori Arian Xhema.

“Kaça” prapë në pranga të Policisë