Albin Kurti

Shtensionimi i situatës në veri, Kurti bisedë telefonike me presidenten e Komisionit Evropian

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, zhvilluan sot një bisedë telefonike mbi zhvillimet në vend, me theks të veçantë ato në veri.

Në një njoftim për media, Zyra e Kryeministrit të Kosovës tha se Kurti njoftoi presidenten e Këshillit Evropian për konfiskimin e armëve në Zveçan, sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR dhe Policisë së Kosovës e gazetarëve nga grupe protestuesish.

“Para katër javëve u ushtrua dhunë brutale mbi ushtarët e KFOR-it, policët e Kosovës dhe gazetarët. Ai shprehu gatishmërinë e tij për zvogëlimin e pranisë së policisë në ndërtesat komunale në veri gradualisht e në proporcion me vendosjen e rendit dhe ligjit, gjë që njëkohësisht do të mundësonte fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të parakohshme demokratike në këto komuna” – thuhet në njoftim.

Gjatë bisedës, sipas ZKM-së, u diskutua edhe për zhvillimin ekonomik të vendit, për demokracinë moderne dhe drejtësinë.

“Ai tha se shpreson që të trajtohet sa më parë aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, sepse me padurim presim që t’i marrim pyetjet e shumta nga Komisioni Evropian dhe t’ju përgjigjemi atyre sinqerisht me reforma të thella të brendshme, si shteti më pro-evropian i Ballkanit Perëndimor që jemi” citohet të ketë thënë kryeministri Kurti.

Ndërkohë, Kurti një ditë më parë zhvilloi një bisedë telefonike edhe me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken.

Kurti zhvillon bisedë telefonike me Blinken