Protestues jashtë gjykatës. Foto: BIRN.

Shqiptarët mblidhen në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së jashtë Gjykatës së Hagës

Protestuesit u mblodhën para gjykatës së Kosovës për krimet e luftës në Hagë për të shprehur zemërimin e tyre për gjyqin e katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, të cilët ata i përshkruan si çlirimtarë, duke kërkuar lirimin e tyre.

Qindra protestues nga Kosova dhe diaspora e saj etnike shqiptare u mblodhën të hënën në mëngjes para gjykatës së Hagës për krimet e luftës në Kosovë për të protestuar ndërsa katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – dolën në gjyq.

Katër udhëheqësit e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që dyshohet se janë kryer midis të paktën marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në Kosovë dhe Shqipërinë fqinje gjatë dhe menjëherë pas luftës me forcat serbe.

“Ne refuzojmë shtrembërimin e historisë sonë”, tha një protestues kur mori altoparlantin në dorë për t’iu drejtuar protestës.

Tahir Çitaku. Foto: BIRN.

Tahir Çitaku bëri më shumë se 700 km rrugë nga qyteti zviceran i Baselit në Hagë për të protestuar kundër gjykimit.

“Ne kemi ardhur për të mbrojtur çlirimtarët, njerëzit tanë që na kanë mbrojtur dhe janë marrë padrejtësisht në paraburgim”, tha Çitaku për BIRN. “Shpresojmë që drejtësia të triumfojë”, shtoi ai.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ishin figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës dhe u përfshinë në udhëheqjen e luftës kundër Ushtrisë Jugosllave, policisë dhe paraushtarakëve serbë dhe të gjithë u bënë politikanë të lartë në periudhën e pasluftës.

Ata kanë shumë mbështetje nga shqiptarët e Kosovës në vendin e tyre, ku mijëra u bashkuan në një demonstratë kundër gjyqit në Prishtinë të dielën.

Diaspora shqiptare proteston para gjykatës së Hagës. Foto: BIRN.

Nevaip Zyberi, i cili vjen nga një zonë shqipfolëse e Maqedonisë së Veriut, ka udhëtuar gjithashtu për në Hagë nga Baseli në Zvicër.

“Ne kemi ardhur për t’i thënë gjykatës së Hagës se ata po mbajnë çlirimtarët tanë që nuk janë fajtorë. Shpresojmë që më në fund të dalë e vërteta dhe çlirimtarët tanë të lirohen”, tha Zyberi për BIRN.

Bajram Lushaku, i cili erdhi nga Frankfurti i Gjermanisë, tha se nuk pret “asgjë të mirë” nga gjykata.

Një banderolë me foton e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe emblemën e UÇK-së. Foto: BIRN.

“Në vend që të sjellin këtu kriminelë nga Beogradi që kryen masakra të tmerrshme në Kosovë, ata kanë sjellë çlirimtarët tanë që luftuan në vendin e tyre”, tha Lushaku për BIRN.

“Për mua, kjo gjykatë është krejtësisht politike, është kundër UÇK-së dhe kundër popullit të Kosovës”, shtoi ai.

Ramadan Nikaj ka udhëtuar nga qyteti gjerman Bergisch Gladbach për të protestuar kundër fillimit të gjyqit.

Ramadan Nikaj. Foto: BIRN.

“Ne e kemi parë protestën dje në Prishtinë dhe nga diaspora sot këtu. Është e ngjashme me kohën kur ishim nën pushtimin serb, njerëzit kanë frikë se po bëhet një padrejtësi, por nuk besoj se kjo gjykatë do të bëjë padrejtësi sepse janë ndërkombëtarë”, tha Nikaj.

Klement Ismajlaj nga qyteti shqiptar i Korçës tha për BIRN se pret që liderët e UÇK-së të shpallen të pafajshëm.

“Nëse i mbajnë në paraburgim, atëherë ata po mbajnë të gjithë popullin shqiptar”, tha Ismajlaj./Balkaninsight

Protestues jashtë gjykatës. Foto: BIRN.
Protestues jashtë gjykatës. Foto: BIRN.