Shqipëria shndërron hotelet në karantinë, të shtunën riatdheson persona nga Italia

Shtetasit shqiptarë që vijnë nga Roma për në Shqipëri do të akomodohen në hotele.

Kështu ka njoftuar kryeministri Edi Rama përmes një publikimi në Facebook.

Rama në njoftim ka thënë se këta persona që do të riatdhesohen do të paguajnë një biletë 100 euro për t’u kthyer në Shqipëri, ndërsa do të paguajnë një pjesë të ushqimit dhe fjetjes në hotelet e caktuara si karantinë.

Rama ka njoftuar se secilit person do t’i kushtojë fjetja dhe ushqimi nga 21 euro në ditë, nga të cilat 14 euro do t’i paguajë qeveria shqiptare ndërsa 7 euro do të paguhen nga personat të cilët riatdhesohen.

“Sot hapen prenotimet për fluturimet e riatdhesimit që nisin të shtunën nga Roma. Paketa do të jetë 100€ për fluturimin që do të paguhen nga personi dhe 21€ në ditë për akomodimin 14-ditor në hotel, prej të cilave 14€ do të mbulohen nga qeveria për fjetjen e shërbimin me standardet anticovid19, ndërsa vetëm 7€ do të paguhen nga personi për ushqimin. Besoj se kjo paketë është mëse e arsyeshme e falënderoj Air Albanian dhe operatorët turistikë për mirëkuptimin dhe kontributin e tyre me zemër shqiptare në këtë nisëm aspak të lehtë, për situatën e ndërlikuar që po kalojmë”, ka shkruar Rama.