Shoqata Sindikale e Sigurimit Fizik në KEK proteston kundër tenderimit të këtij sektori, i kërkon qeverisë takim

Shoqata Sindikate e Sigurimit Fizik në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) përmes një proteste kanë bërë thirrje që ky departament të kthehet në KEK e të mos tenderohet, sipas tyre, jashtëligjshëm nga kompani private.

Kryetar i Sindikatës së Punëtorëve Nexhat Llumnica tha se kjo qeveri si opozitë dikur i ka mbështetur në këtë kauzë dhe kërkon të veprpohet njësoj edhe tani.

“Ky departament është huazuar në vitin 2004 për tri vite dhe në vitin 2007 është dashur të kthehet në KEK. Atëherë është tenderuar jashtëligjshëm dhe kemi pasur mbështetjen e këtij subjekti politik që tani është në qeveri. Dua t’i tregoj kësaj qeverie se edhe sot tenderi është i  jashtëligjshëm dhe vazhdon të tenderohet ashtu”- deklaroi ai.

Lluminca theksoi se punëtorët kanë paga shumë të ulëta dhe se është interes i përbashkët që sigurimi të kthehet brenda kompanisë së KEK-ut.

“Sigurimi i KEK-ut nuk mund të jetë sigurim i mirë, ashtu si mund të jetë brenda kompanisë. Është në interes të përbashkët sepse KEK është shërbim jetik dhe do ishte më mirë të kishte siguri të veten sesa një kompanie private. Këta punëtorë nuk janë të interesuar të ndërrojnë uniformat, por të kthehen në KEK”- shtoi tutje ai.

Protestuesit i bën thirrje qeverisë që të ftohen në takim me këtë sindikatë ose gjendja mund të eskalojë.

Nexhat Murati, kryetar i Shoqatës Sindikale për Sigurim Fizik kërkoi po ashtu që qeveria të merret seriozisht me këtë problem.

“I bëjë thirrje KEK dhe qeverisë që të na pranojë në bisedime dhe të gjejnë zgjidhje për neve e mos të manipulojnë me punën e paligjshme që po e bëjnë. Le të merren seriozisht me këtë problem sepse do ketë pasoja edhe më të rënda”- deklaroi Murati.