Zjarri ndërtesën kolektive në Ferizaj, Prokuroria po e heton rastin

Dhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një zjarri që ka përshirë një ndërtesë kolektive më 12.02.2024 në Ferizaj.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Në një përgjigje për KALLXO.com nga kjo prokurori kanë konfirmuar se janë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

“Lidhur me rastin e incidentit të zjarrit në Ferizaj, përkatësisht në objektin banesor në rrugën ‘Dëshmorët e Kombit’, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka inicuar rast në drejtim të veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Aktualisht, rasti është në procedurë hetimore ku janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe në këtë fazë nuk mund të japim detaje tjera”- thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për KALLXO.com.

Dhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një zjarri që ka përshirë një ndërtesë kolektive të dielën më 12.02.2024 në Ferizaj. Të njëjtit kanë marrë trajtim në Kliniken Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Nga QKUK kanë konfirmuar për KALLXO.com se pas ekzaminimeve pacientët janë liruar për në shtëpi.

Tre zjarrfikës janë lënduar gjatë intervenimit. Zymri Krasniqi, komandant i zjarrfikësve në këtë qytet ka thënë se ndonëse intervenimi ka qenë i shpejt, lokalizimi i zjarrit ka zgjatur deri pas mesnate.

“Mbrëmë (12.02.2024) rreth orës 22:33 minuta zjarrfikësit në Ferizaj janë njoftuar për një zjarr në një banesë kolektive diku 7-10 katëshe në qendër të qytetit, në rrugën dëshmorët e kombit. Shumica e banorëve janë evakuuar vet por ata që s’kanë mundur janë ndihmuar nga zjarrfikësit. Edhe vet këta të fundit kanë pësu lëndime dhe kanë pranuar trajtim mjekësor. Prej zjarrfikësve janë asfiksu tre persona, mirëpo një ka qenë në gjendje më të rëndë por është mirë me shëndet”- ka thënë Krasniqi.

Zjarri që përfshiu një banesë në Ferizaj, tre zjarrfikës u asfiksuan