Punëtoria per shkrim kreativ. Foto: Facebook/artrit Bytyçi

Shkrimtari Artrit Bytyçi me punëtori për shkrimin kreativ

Në fund të këtij muaji do të nisë në Prishtinë mbajtja e punëtorisë për shkrim kreativ, me shkrimtarë dhe artistë që kanë një përvojë në krijimtarinë artistike.

Punëtoria organizohet dhe do të do të udhëhiqet nga shkrimtari Artrit Bytyçi.

Në një prononcim për Kallxo.com, krijuesi Bytyçi ka thënë se punëtoria do të fokusohet në prozë (fiction dhe nonfiction): tregim, fragment romani, ese personale, fragment memoari, apo çfarëdo eksperimenti që ka të bëj me prozë. Kësaj here, sipas tij, punëtoria nuk do të përfshijë poezinë.

“Punëtoria do të mbahet gjatë 6 sesioneve, me rreth 10-15 pjesëmarrës, që do të takohen çdo 1-2 javë në Prishtinë ose dhe online. Mbarëvajtja e punëtorisë është e inspiruar nga eksperiencat që autori i ka praktikuar gjatë vijimit të magjistraturës në arte të bukura në Creative Writing nga ‘The New School’ në New York City. Shkrimet mund të jenë në shqip dhe/ ose anglisht”, ka thënë ai

Po sipas tij, sesionet do përmbajnë diskutim dhe ligjërata për “zanatin” e shkrimit, diskutim të punimeve të pjesëmarrësve me komente, sugjerime, dhe kritika; diskutim të shkrimeve nga autorë të ndryshëm dhe metodave të përdorura nga ta.

“Për çdo sesion, pjesëmarrësit do të bëjnë detyra shkrimi dhe lexime të cekura paraprakisht në syllabusin e punëtorisë. Në fund të punëtorisë, shkrimet do të botohen në shtyp dhe online, dhe do të prezantohen gjatë një eveniment letrarë (“live” ose “online”)”, ka thënë Bytyçi.

Punëtoria është e hapur për shkrimtarë dhe artistë mbi 18 vjeç. Kriter kryesorë për pjesëmarrje është kualiteti i shkrimit. Rekomandohet përvojë e mëparshme në shkrime kreative, ngaqë punëtoria është e paraparë të jetë e nivelit të mesëm-lartë.

Afati i fundit për aplikim: 13 tetor 2020.

Për të qenë pjesë e punëtorisë duhet të aplikoni në: https://docs.google.com/…/1FAIpQLSf9YS3TsGjXbL…/viewform