Në ditët në vazhdim Komuna e Prishtinës pritet t'i publikojë shpenzimet për punëtorinë në Pejë

Të shtunën, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, mblodhi drejtorët dhe stafin e tij për një udhëtim drejt një hoteli në Pejë, për siç u tha, një fundjavë pune për transformimin e Prishtinës.

KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente, ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës, faturat e karburantit të shpenzuar, akomodimit në hotel, ushqimit dhe pijeve, si dhe faturat e sallave që janë shfrytëzuar për mbajtjen e punëtorisë.

Në një përgjigje me shkrim, Komuna nuk ka ofruar numrin e saktë të pjesëmarrësve, ndërsa për shpenzimet ka thënë se do të publikohen së shpejti.

“Vlen të theksohet se numri i pjesëmarrësve ka qenë konform masave anti-COVID-19. Ndërsa, sa i përket kostos së kësaj punëtorie, informatat do të publikohen së shpejti”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Ata po ashtu kanë thënë se numri i personave që kanë udhëtuar në Pejë për punëtorinë e organizuar nga kryetari Përparim Rama, ka qenë komfor masave anti-COVID-19.

Mediat raportuan të shtunën se Komuna e Prishtinës kishte rezervuar 30 dhoma në një hotel luksoz në Pejë.

Arsyeja dhe qëllimi i mbajtjes së kësaj punëtorie në Pejë, sipas Komunës së Prishtinës, ishte për të analizuar objektivat dhe strategjinë e programit, me qëllim të transformimit të Prishtinës.

“Gjatë takimeve punuese, pikat kryesore të agjendës ishin Plani i punës dhe veprimet e të gjitha drejtorive në përputhje me planin dhe premtimtet e qeverisjes së re; buxheti komunal dhe komunikimi me publik”, thuhet tutje në përgjigje.

Komuna e Prishtinës aktualisht i ka gjithsej 16 drejtori, ndërsa kryetari Rama ka paralajmëruar themelimin e disa drejtorive të reja, ndër to edhe atë për trajtimin e qenve endacakë.