KFOR-i në veri, 29 maj 2023 Foto: Afrim Ejupi/ KALLXO.com

Shkon në 30 numri i të plagosurve të KFOR-it, komandanti Ristuccia u kërkon palëve të marrin 'përgjegjësinë e plotë'

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR njofton se numri i të plagosurve nga ngjarjet e djeshme në Zveçan, ka shkuar në 30.

KFOR thotë se lëndimet e ushtarëve nuk janë të rrezikshme për jetën.

KFOR ka konfirmuar se është sulmuar me armë zjarri, duke theksuar se tre ushtarë hungarezë u plagosën nga përdorimi i armëve të zjarrit

“Numri i paqeruajtësve të plagosur gjatë dhunës së paprovokuar të djeshme në komunën e Zveçanit është 30. 11 ushtarë nga kontingjenti italian dhe 19 nga kontingjenti hungarez kanë pësuar lëndime të shumta, duke përfshirë thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara. Tre ushtarë hungarezë u plagosën nga përdorimi i armëve të zjarrit. Lëndimet e tyre nuk janë të rrezikshme për jetën”- thuhet në komunikatën e KFOR.

Sipas njoftimit, komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, po ndjek personalisht zhvillimin e situatës dhe shpreh solidaritetin e tij me ushtarët e NATO-s që u plagosën gjatë përleshjeve dhe familjet e tyre.

Ristuccia ka thënë se të dyja palët duhet të marrin përgjegjësinë e plotë për atë që ka ndodhur dhe të parandalojnë çdo përshkallëzim të mëtejshëm.

“Për të shmangur përleshjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e pas përshkallëzimit, paqeruajtësit e KFOR-it parandaluan kërcënimet ndaj jetës së serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Të dyja palët duhet të marrin përgjegjësinë e plotë për atë që ka ndodhur dhe të parandalojnë çdo përshkallëzim të mëtejshëm, në vend që të fshihen pas narrativave të rreme”- ka dekalruar komandanti

KFOR-i thotë se do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një ambient të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.

Dje në Zveçan ka pasur përleshje në mes KFOR-it dhe protestuesve. Protestuesit kanë hedhur mjetë shpërthyese në drejtim të pjesëtarëve të KFOR-it. Policia ka arrestuar pesë persona të dyshuar për këto sulme.

Situata në veri – Pamje