Shkolla “Emin Duraku” në Prishtinë kalon në mësim online, 3 mësimdhënës me COVID-19

Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët “Emin Duraku” në Prishtinë nga sot ka kaluar në mësim online, pasi disa mësimdhënës dhe nxënës kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

Shkolla ka kaluar nga skenari A në skenarin C me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, drejtori i kësaj shkolle, Agron Mexhuani.

“Shkolla sot ka kaluar në mësim online me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë për një periudhë të caktuar kohore sipas skenarit C. Prej të premtes ne kemi bërë testime dhe tre mësimdhënës janë pozitiv kurse për nxënës nuk dihet ende saktë, por në klasa të ndryshme ka nga një ka nga dy, por nuk mundem me thënë numrin e saktë”, tha ai.

Në komunën e Prishtinës që nga fillimi i vitit të ri shkollor, janë 85 nxënës që janë infektuar me COVID-19, ndërsa janë edhe mbi 45 mësimdhënës që kanë rezultuar pozitivë.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur tre skenarë të ndryshëm për fillimin e vitit të ri shkollor, në kohë pandemie, Skenari A është për mësim fizik në shkolla, skenari B – mësimi i kombinuar dhe skenari C – mësimi online nga platforma të ndryshme.

Viti i ri shkollor ka filluar më 14 tetor në gjithë vendin.