Shkatërrimi i objektit me tjegulla azbesti nga NBP-ja, Ministria e Mjedisit publikoi rezultatet e analizave të kryera në Gjermani

Shkatërrimi i azbestit nga objektet në Lagjen Lakrishtë, të Prishtinës nga Ndërmarrja Publike Banesore i përket shkallës së 3-të (20%), të mbetjeve kancerogjene me rrezikshmëri shumë të lartë kontaminimi.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka publikuar rezultatin e bërë në një laborator në Gjermani.

“Me qëllim të shqyrtimit të rezultatit të analizave për Azbestin e shkatërruar në Lakrishtë nga Ndërmarrja Publike Banesore, me datë 15.10.2021, kemi dërguar materialin e Azbeztit në Laboratorin e Gjermanisë, me ç’rast është bërë ekzaminimi mikroskopik i skanimit të mostrës së Azbestit sipas udhëzimit “VDI 3866 dhe CRB REM PA”, thuhet në njoftim.

 

Shkatërrimi i azbesit në Lakrishtë i pëket shkallës së 3-të, Foto: Ministria e Mjedisit, Facebook

Tutje është bërë e ditur se përmbajtja e azbesit ndahet në 5-së kategori të zbulimit të gjurmëve (mbetjeve) kancerogjene të Azbestit nga kategoria 1 (2%) deri te kategoria 5 (50%).

Më 6 tetor të këtij viti Ministria e Mjedisit kishte pezulluar punimet e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), në lagjen Lakrishte të Prishtinës, pasi gjatë rrënimit të një objekti të vjetër, doli se kishte materiale të azbestit e të cilat konsiderohen kancerogjene.

NPB-ja bashkë me kompani private, si bashkë-investim, në atë lokacion synon të ndërtojë një objekt të madh afaristo-banesor.

KALLXO.com ka publikuar hulumtimin “Ana e errët e projektit të ndërtimeve të Ndërmarrjes së Prishtinës”.

Historia për të ndërtuar diçka të re në këtë pjese profitabile të Prishtinës nis me aksionarët e NPB-së, të cilët në fund të vitit të kaluar e ndërroi statutin e NPB-së dhe bëri rregullore të re për t’i hapur rrugë këtij investimi. Pas ekspozimit të shkeljeve të bëra në këtë projekt dhe pezullimit të punës nga Ministria e Mjedisit, bordi i NPB-së mori vendim për të shkarkuar Hajdar Hoxhën, drejtorin e NPB-së.

Por, vendimi për shkarkim të kryeshefit nuk arriti të protokolohej për tri ditë. Kjo kohë u shfrytëzua nga aksionarët e NPB-së, Dren Kukaj, drejtor i mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës dhe Genc Sherifi, asamblisti i PSD-së, që të shkarkojnë bordin, duke e lënë në punë kryeshefin që të shtyjë përpara projektin ndërtimor, të cilin Ministria e Mjedisit e quan joligjor. Dy aksionarët e ndërmarrjes, të dy të lidhur me ish-partinë e Shpend Ahmetit, i kanë zëvendësuar katër anëtarët e shkarkuar të bordit me katër persona të tjerë, pa kurrfarë konkursi publik.

Krejt kjo ndodhi disa muaj para se Shpend Ahmeti, kryetari i Komunës, të dorëzojë mandatin si kryetar dhe të mos kthehet më pasi që nuk kandidon për mandat të ri. Hapja e udhës për këtë investim të kontestuar në tokën profitabile në qendër të Prishtinës në fund të mandadit të tij ka hapur debat për parregullsi të shumta që kanë filluar të hetohen nga Policia e Kosovës.

Ky projekt është një prej investimeve më të mëdha ndërtimore që janë bërë në komunën e Prishtinës nga një investitor privat, i cili pritet të ketë një vlerë prej 120 milionë euro.

 

Ana e errët e projektit të ndërtimeve të Ndërmarrjes së Prishtinës