Banesat sociale

Gjendje e rëndë me higjienën tek banesat sociale, rekomandohet që NPB të mirëmbajë objektet

Një komision i formuar nga Komuna e Prishtinës për verifikim të shfrytëzimit të pronave komunale siç janë banesat e rasteve sociale në ‘Bregun e Diellit’, ‘Hajvali’ dhe ‘Fushën e Pajtimit’ ka rekomanduar që Ndërmarrja Publike Banesore t’i mirëmbajë këto objekte për shkak të gjendjes së rëndë më higjienën.

Drejtoresha e Pronës në Komunën e Prishtinës, Doruntinë Maloku para asamblistëve ka bërë të ditur se komisioni i ka vizituar këto objekte dhe janë trishtuar nga gjendja me pastërtinë.

“Komisioni kur ka vizituar një pjesë të këtyre pronave komunale ka qenë i trishtuar prej nivelit të higjienës, edhe anëtarë të komisionit e kanë përmendur disa herë që NPB të marrë përsipër përkujdesën për ato objekte sepse fakti që janë familje me status social nuk nënkupton që ne t’i lëmë në atë gjendje në aspekt të higjienës. Kjo është arsyeja pse kjo është vendos si rekomandim në raport”- ka thënë Maloku.

Asamblisti nga radhët e PDK-së, Leutrim Retkoceri ka thënë se për t’u bërë një veprim i tillë duhet edhe një kontratë mes kryetarit dhe NPB-së.

Ai po ashtu tha se këto banesa duhet të shpërndahen e jo të getoizohen siç janë lënë deri tani.

”Si do zbatohet sepse duhet edhe një kontratë mes kryetarit dhe NPB-së. Duhet të kthehen edhe një herë këto rekomandime të Kuvend Komunal. Mendoj që banesat e kësaj kategorie nuk duhet të jenë të getoizuara siç janë, por të shpërndahen”- tha ai.

Lidhur me shfrytzueshmërinë e pronave komunale u miratua edhe raporti për pronat në zonën industriale.

Në raport janë dhënë rekomandime për mënyrën si duhet vepruar tutje komuna lidhur me borxhet dhe parcelat.

Doruntinë Maloku bëri të ditur se do i diskutojnë prapë këto rekomandime të komisionit e më pas do publikohen vendimet.

Ky votim, sipas saj, hap procedurat se si të veprohet tutje dhe çfarë vendime të merren për ato prona dhe mënyrën si po shfrytëzohen.

Komisioni për verifikim të këtyre pronave është formuar në maj të këtij viti.

Raporti për shfrytëzimin e banesave sociale në kryeqytet, ato në ‘Breg të Diellit’ nxisin polemika