Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shënohet dita kundër homofobisë, transfobisë dhe bifobisë

Sot shënohet dita ndërkombëtare kundër homofobisë, transfobisë dhe bifobisë.

Qendra për Barazi dhe Liri (CEL) në nder të kësaj dite ka publikuar një video në të cilën shihen figura politike të vendit duke kërkuar trajtim të barabartë për pjesëtaret e këtij komuniteti, ndër ta kryeministri edhe Albin Kurti.

“Diskriminimi funksionin porsi kriza, ai ndan dhe përçan. Duhet të luftojmë së bashku çdo diskriminim. Njerëzit janë të ndryshëm për nga bindjet dhe orientimi por të gjithë duhet të jemi të barabartë”, tha kryeministri Kurti në videon ndërmjetësuese të publikuar nga CEL.

17 maji është dita kundër urrejtjes, frikës dhe averzionit ndaj personave që kanë tërheqje romantike apo seksuale ndaj gjinisë së njëjtë, personave që e identifikojnë veten me një gjini tjetër dhe personave që kanë tërheqje ndaj të dyja gjinive.

Data është edhe përvjetori i 17 majit të vitit 1990, kur Organizata Botërore e Shëndetësisë e largoi homoseksualitetin nga Lista Ndërkombëtarë e Sëmundjeve.

Blert Morina drejtor i CEL tha se “krenaria e një shoqërie është diversiteti prandaj le të mburremi me të”.

Ndërkaq në komunikatën e Qendrës Sociale për Zhvillim, CSDG-së bëhet thirrje për rregullimin e të drejtës për martesë dhe krijim të familjes për të gjithë qytetarët pa dallim.

Tutje, në këtë njoftim kërkohet funksionalizimi i grupit punues për ndryshimin e Ligjit për Gjendjen Civile që t’u mundësoj personave transgjinor ndryshimin e gjinisë/seksit/.

“Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që urgjentisht të korrigjojë të gjitha tekstet shkollore me informata të gabuara karshi çështjeve LGBTIQ+, material i cili kontribuon në rritjen e paragjykimeve, stigmës dhe diskriminimit ndaj personave LGBTIQ+”, vazhdon CSGD.