Shefkije Islamaj: Fjala Koronavirus, formim i panatyrshëm për shqipen

Coronavirusi, është fjala që po dëgjohet më së shumti sot në Kosovës, pavarësisht se pak muaj më parë nuk njihej fare.

Futja e shpejtë e kësaj fjale në fjalorin e përditshëm të shqipes dhe shkrimi i saj në disa mënyra, po cilësohet si i paarsyeshëm nga gjuhëtarët tanë

Megjithatë fjala Coronavirus nuk është rasti i vetëm që po ndodhë në gjuhën dhe përdorimin e shqipes.

 

Foto: Facebook

Gjuhëtarja Shefkije Islamaj, në një bisedë për Kallxo.com ka thënë se në gjuhën shqipe sot ndeshim një proces të motivuar pak a shumë të ri sociolinguistik të krijimit të fjalëve.

Sipas saj, fjala është për një lloj shkrirjeje fjalësh në një fjalë të vetme si strukturë e si se­mantikë, një bashkim fjalësh sipas analogjisë me kom­pozitat, me fjalët e përbëra, pra fjala, sipas Islamajt, është për një ngjitje fjalësh ose ngjitje segmentesh të fjalëve në një fjalë të vetme, pra në një fjalë të tretë.

Në gjuhën shqipe, shton më tej ajo, sot krijohen dhe hyjnë shumë fjalë të reja jo gjithmonë të ndërtuara në pajtim me fjalëformimin e shq­ipes dhe me modelin e saj sistemor.

“I tillë është rasti me fjalën ‘koronavirus, -i’. Formimi i saj është i panatyrshëm për shqipen. Do të duhej të ishte një formim togfjalëshi “Virusi Korona”. Por, duke qenë se emërtimi ‘koronavirus’, i huazuar nga gjuha angleze, për një virus të rrezikshëm, përhapja e të cilit prodhoi pandemi, rrjedhojat e së cilës po i përjetojmë edhe ne, është përhapur me shpejtësi në gjithë botën me këtë formë, ka qenë e pritshme që edhe në gjuhën shqipe do të hyjë me këtë formë”, ka thënë Shefkije Islamaj.

Kjo nuk është një dukuri e re e formimit të fjalëve në gjuhën shqipe,  por, sipas Islamajt, është përhapur mjaft në dy a tre dhjetëvjetëshat e fundit, sado nuk është në pajtim me natyrën e frymën e saj.

“Po përmendim këtu disa fjalëformime, të krijuara ngjashëm me modelin e fjalës “koronavirus” e të përhapura shumë sidomos përmes mjeteve bashkëkohore të informimit, si: preskonferencë, kontaktperson, teletekst, pilotprojekt, shoubiz etj. Madje edhe krijime me modelin fjalë e huaj e fjalë e shqipes si:  videolojë, miniqendër, ekolodër, bioushqim, etj.”, ka pohuar gjuhëtarja Islamaj.

Sipas saj, kërkesat funksionale gjuhësore motivojnë hyrjen në gjuhë edhe të elementeve të huaja, si fjalë, ndërtime dhe modele fjalëkrijimi, dhe është e pamundur të vendoset ndalesë e fortë për të penguar procese të këtilla, shton ajo, ato thjesht vijnë nga realiteti jashtëgjuhësor, ndërsa ndihmohen nga faktorët sociogjuhësorë.

“Mund të thuhet se në gjuhën shqipe po ndodhin procese të njëjta gjuhësore si në gjuhët e Europës e më gjerë”, ka thënë dr. Islamaj.

Coronavirusi, si duhet të shkruhet kjo fjalë në gjuhën shqipe

.