Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nga turmat te lutjet - zbehet interesimi i kosovarëve për vaksinën anti-COVID

Politika, shoqëria civile e publiku i gjerë kishte reaguar ashpër kur para sallës së sporteve “1 Tetori” të improvizuar në qendër vaksinimi, në një mëngjes maji të këtij viti u panë turma të mëdha njerëzish duke u shtyrë për një vaksinë.

Si vendi i fundit në rajon që siguroi doza të vaksinës, Kosova deri në atë kohë po “arnohej” me vaksina të marra donacion nga koalicioni global “COVAX” ose nga ndonjë shtet i veçantë që kishte vendosur ta ndihmojë vendin që kishte mbetur i fundit në radhë, pa ndonjë kontratë me ndonjë kompani prodhuese të vaksinave kundër COVID-19.

“Është maltretim i dyfishtë për ne të moshuarit sidomos. Organizimi është amatoresk, i dështuar”, thoshte Hasan Shala, një i moshuar nga Prishtina teksa priste në radhë për të marrë vaksinën.

Atë ditë në Kosovë nuk kishte më shumë se 3,000 doza të vaksinës të dhëna edhe ato kryesisht për kategoritë e rrezikuara të popullatës.

Kur vaksinat e para të kontraktuara erdhën në fillim të korrikut, kosovarët i pritën ato me entuziazëm.

Ky entuziazëm atyre u zgjati për rreth katër muaj, periudhë në të cilën vendi ofronte shifra të larta të të vaksinuarve.

Javëve të fundit, numri i atyre që marrin dozën e parë të vaksinës është zvogëluar ndjeshëm gjë që ka bërë që hendeku mes personave që marrin dozën e parë dhe atyre që e marrin dozën e dytë të zvogëlohet.

Përderisa më 28 shtator, dallimi mes atyre që kishin marrë dozën e parë dhe të dytë ishte 272,394 persona, më 20 nëntor ky numër ka rënë në 93,353 që tregon për rënien e interesimit për vaksinim.

Kosova tash e një muaj është duke ofruar shifra ndjeshëm më të ulëta të të infektuarve në krahasim me vendet tjera të rajonit.

Përderisa nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria e Mali i Zi çdo ditë vijnë me qindra e mijëra infektime të reja, në Kosovë të infektuarit shumicën e rasteve janë njëshifrorë.

Epidemiologu Salih Ahmeti ka thënë javën e kaluar për BIRN se Kosova po përfiton nga popullata e moshës së re por edhe nga shkalla relativisht e lartë e imunizimit.

“Kemi një popullatë shumë të re dhe numër të konsiderueshëm të qytetarëve që kanë realizuar imunitet natyral ose përmes vaksinës”, tha Salih Ahmeti.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se deri tani 64 për qind e popullatës mbi 16 vjeç në Kosovë janë vaksinuar, shifër që paraqet tejkalim të pritjeve fillestare të qeverisë së tij për ta arritur vaksinimin e 60 për qind të popullatës deri në fund të vitit.

Më 12 nëntor në Kosovë ka filluar vaksinimi i fëmijëve mbi 12 vjeç.

Ahmeti ka thënë se vala e fundit e infektimeve e cila e goditi Kosovën në gusht dhe në fillim të shtatorit, përkonte me periudhën kur diaspora vjen për pushime në vendlindje dhe udhëtimet e kosovarëve për pushime në bregdet, kohë në të cilën, sipas tij, u tregua “nivel i ulët i respektimit të masave”.

Ai ka thënë se Kosova është “në një fazë të butë, e cila është në natyrën e virusit”. Megjithatë, ai shtoi se kjo periudhë duhet të shfrytëzohet “për t’u përgatitur për mundësinë e përballimit me valë tjera në javët e ardhshme”.

Në Kosovë vaksinimi me dozën e dytë ka filluar më 7 qershor të këtij viti dhe për katër ditë në nivel vendi janë vaksinuar 7 mijë e 718 qytetarë ndërsa për rreth pesë muaj të vaksinuar komplet janë 755 mijë e 654 qytetarë apo 42 përqind e popullsisë, sipas statistikave të publikuara nga Our world in Date, ndërsa 5,3 përqind e qytetarëve jane vaksinuar vetëm me një dozë të vaksinës.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një qytetarë konsiderohet i vaksinuar pas marrjes së dy dozave të vaksinës kundër COVID-19.

Me të filluar vaksinimi në nivel vendi, ministria e shëndetësië e cila në atë kohë ishte nën menaxhimin e Arben Vitisë, pati thënë se deri në fund të këtij viti do të vaksinohet 60 përqind e popullsisë me dy doza të vaksinave.

“Ne synojmë që deri në fund të vitit të sigurohen vaksinat për t’i vaksinuar minimum 50% deri në 60% të popullatës”, pati thënë ish ministri i shëndetësisë Arben Vitia në DebatPernime, në shkurt të këtij viti.

Mirëpo, për hulumtuesën e politikave shëndetësore, Hana Xhemajli, premtimi se do të vaksinohet 60% e popullsisë është politik dhe se sipas studimeve për të arritur imunitetin e tufës duhet të vaksinohet mbi 85% e popullsisë.

Sipas Xhemajlit, kur është dhënë premtimi për vaksinimin e 60% të qytetarëve mosha të cilat janë lejuar të vaksinohen ka qenë mbi 18 vjeç ndërsa tani është mbi 12 vjeç.

“Nëpër disa shtete tjera vaksinimi rekomandohet të jepet prej moshës 5 vjeçare e tutje. Kështuqe  një matematike e thjeshtë tregon që matja e 60% dallon shumë në këto tri paralele dhe për atë arsye është edhe vështire të ketë përgjigje konkrete. Duhet gjithashtu të kuptohet që vaksinimi i 60% të popullsisë nuk ka ndonjë domethënje sepse të arrihet imuniteti në tufë, studimet e reja tregojne që duhet të ketë këtë vaksinim të popullatës mbi 85%”, është shprehur ajo për KALLXO.com.

Shqetësues është fakti se në nivel vendi interesimi për të marrë vaksinën, si njëra ndër mënyrat e vetme për të parandaluar vdekshmërin nga coronavirusi, ka rënë dukshëm, dhe fatkeqësisht interesimi për imunizim nga ana e qytetarëve, sipas Xhemajlit fillon në momentin që ka rritje të rasteve pozitive me coronavirus. 

E pyetur nëse kanë ndikuar teoritë konspirative që qytetarët të mos shprehin interesim për vaksinim kundër coronavirus, hulumtuesja për shëndetësi thotë se këto teori nuk janë krijuar tek ne dhe se situatë e ngjashme, për vaksinim, është krijuar edhe në vende të ndryshme në botë, mirëpo ajo thotë se qytetarët vazhdimisht duhet të edukohen “Ministria në bashkëpunim me IKSHP-në duhet gjithnjë të bëjë më shumë, edhe në pikun e punës”

Në mënyrë që të lehtësohet vaksinimi për qytetarët ministria e shëndetësisë ka mundësuar që të gjithë qytetarët në nivel vendi të mund të vaksinohen në secilën qendër të vaksinimit pavarësisht nëse i pëkasin asaj komune.

Në plan programin e ministrisë së shëndetësisë është planifikuar të vaksinohen deri në 500 mijë qytetarë brenda një muaji në tërë territorin e vendit.

Statistikat e publikuara në ueb faqen e Ministrisë së Shëndetësisë bëhet e ditur se 775 termine për vaksinim janë të rezervuara në nivel vendi.

Një muaj më parë Kosovë është radhitur e para nga vendet e Ballkanit Perëndimor përsa i përketë interesimit për vaksinim.

“Kosova ka pasur shkallën më të lartë të vaksinimit në tërë Ballkanin Perëndimorë në tetor dhe rekomandohet që të vazhdohet ky program në 2022-ën, financuar përmes një alokimi buxhetor për të siguruar vaksina shtesë përforcuese dhe për të arritur mbulueshmërinë”, pati thënë hefi i ekipit të Fondi Monetar Ndërkombëtar, Gabiriele Di Bella.

“Qetësi para fortunës”

Situata epidemiologjike në vendet e rajonit por edhe më gjerë, është vështirësuar për shkak të rritjes rekord të të infektuarve me COVID-19 brenda pak javësh. Sipas ekspertëve të shëndetësisë, një rrezikë i tillë mund ta pret edhe Kosovën.

Kryetari i Sindikatave të Shëndetësisë, Blerim Syla, rritjen e rasteve të COVID-19 në vendet e rajonit e ndërlidh me fillimin e vaksinimit në këto vende. Ai thotë se imunizimi në vendet e rajonit ka filluar shumë më herët se në Kosovë, ndërsa tani ka filluar t’iu bie imuniteti i vaksinës qytetarëve.

Ndërsa sa i përket Kosovës, Syla thotë se rreziku për valën e katërt të pandemisë është i qartë mirëpo imunizimi ka filluar me vonesë dhe kjo mund të jetë njëra ndër arsyet pse ende rastet pozitive janë të ulëta.

Sipas tij, rreziku më i lartë për rritje të rasteve pozitive qëndron në fund të vitit apo në fillim të vitit tjetër.

Në mes të marsit të vitit të kaluar i gjithë vendi pati hyrë në karantinë, si njëra ndër masat për parandalim të përhapjes së infeksionit SARS-CoV-2, njësoj si shumë vende të tjera në botë.

Mirëpo, sa qëndron rreziku që vendi të hyjë përsëri në karantinë?

“Për këta njerëz të cilët kanë ngu këngëtar e kanë ngu teori konspirative është e vështirë, unë mendoj që ministria e shëndetësisë nuk mundet me fut vendin në karantinë. Për ata persona duhet të kenë masa më strikte duhet t’i bëhet një kontroll strikt kur dëshirojnë të hynë në institucione dhe vende tjera”, thotë kryetari i sindikatave të shëndetësisë për KALLXO.com.

Ai shtoi se çmimin për karantinë duhet të paguajnë personat të cilët kanë refuzuar të vaksinohen.

Qendra e studentëve në Prishtinë ishte përdorur si hapësirë për t’u karantinuar personat që vinin nga jashtë Kosovës

Infektologu, Zenel Shatri, Kosovën nuk e sheh në mesin e vendeve shumë të rrezikuara nga COVID-19, pasi që sipas tij, shumica e popullsisë janë vaksinuar.

“Me siguri do të paraqiten raste pak më shumë, por në Kosovë nuk ekziston shumë rrezikshmëri pasi që janë vaksinuar shumica dhe e kanë kryer infeksionin dhe imuniteti natyral zgjatë deri në gjashtë muaj, mund të jetë edhe më shumë”, u shpreh ai për KALLXO.com.

Vaksinimin e qytetarëve të Kosovës me “AstraZeneca” dhe “Pfizer”, Shatri e konsideron me fat. Sipas tij, këto dy lloje të vaksinave janë të aprovuara nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe nuk është bërë vaksinimi me vaksinën e ruse, “Spotnik”.

Infektologu apelon qytetarët që të vaksinohen sa më parë me vaksinat kundër Coronavirusit.

Spitalet dhe Klinikat në nivel vendi kanë trajtuar me qindra qytetarë të infektuar me COVID-19. Tash e disa javë gjendja nëpër në spitale është e qetë pasi që numri i pacientëve të cilët janë duke kërkuar trajtim mjekësore në spitale dhe klinika ka rënë dukshëm.

Të dhënat e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar tregojnë se gjendja nëpër spitale është e qetë, madje në mjekimin Intensiv në Klinikën Infektive nuk është duke u trajtuar asnjë pacientë.

Coronavirusi apo COVID-19 është virus ngjitës që kalon te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes.

Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit 2019.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.