Coronavirusi, si duhet të shkruhet kjo fjalë në gjuhën shqipe

Fjala Coronavirus në gjuhën shqipe duhet të shkruhet: Virusi Korona.

Kështu kanë deklaruar për Kallxo.com specialistë të gjuhësisë shqipe.

Fjala Coronavirus është e ndikuar nga gjuhët e huaja, dhe sipas rregullave të shqipes, kjo fjalë duhet të shkruhet: Virusi Korona.

Gjuhëtari Naim Berisha ka thënë për Kallxo.com se përdoruesit e shqipes duhet që edhe këtë fjalë ta përdorin dhe ta shkruajnë sipas parimeve gramatikore të gjuhës shqipe.

Sipas tij, duhet të shkruhet virusi Korona dhe fjala korona, gjatë përdorimit nis me shkronjë të madhe, ndëresa fjala virusi shkruhet me shkronjë të madhe vetëm në fillim të fjalisë.

“Fjala Coronavirus është një kalk i ndikuar nga gjuhë të huaja. Parimi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe është i bazuar në parimin fonetik, që do të thotë fjalët shkruhen ashtu siç shqiptohen, nëse shkruhet me c duhet të lexohet si c, dhe nëse shkruhet me k lexohet, k. Pra duhet të shkruhet: Virusi Korona”, ka thënë Naim Berisha, shef i degës së gjuhësisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Edhe Sejdi Gashi, hulumtues i pavarur në Institutin Albanologjik thotë se kjo fjalë duhet shkruhet si Virusi Korona.

“Sipas rregullave dhe parimit sintaksor të gjuhës shqipe, Coronavirusi, duhet të shkruhet: Virusi  Korona. Shkruhet ndaras Virusi Korona, ndërsa dhe fjala korona, nis me shkronjë të madhe pasi kemi të bëjmë me një emërtim të veçantë”, ka thënë ai.

Që nga shpërthimi i Pandemisë së Covid-19, fajla Coronavirus gjatë përdorimit në shqip është duke u shkruar në mënyra të ndryshme, si: Koronavirus, Coronavirus, Virusi Korona, etj.