Kina raporton gati 60,000 vdekje të lidhura me Coronavirus brenda një muaji

Autoritetet shëndetësore në Kinë kanë raportuar të shtunën rreth 60,000 vdekje të lidhura me Coronavirusin brenda një muaji.

Kjo njëherësh është shifra e parë e tillë që publikon Qeveria kineze, prej lehtësimit të kufizimeve për Coronavirus në fillim të muajit dhjetor.

Kina ka regjistruar 59,938 vdekje të lidhura me koronavirus në periudhën 8 dhjetor 2022 – 12 janar 2023, ka thënë Jiao Yahui, shefe e Zyrës për Administratë Mjekësore në Kinë.

Kjo shifër u referohet vetëm vdekjeve të regjistruara në qendrat mjekësore, andaj besohet se situata reale është më e rëndë.

Kina është akuzuar vazhdimisht për mosraportim të numrit të vdekjeve me Coronavirus.

Zyrtarët shëndetësorë kinezë kanë thënë me raste se “nuk është e domosdoshme” që të publikohen shifrat e sakta.

Më parë Pekini pati ndryshuar metodologjinë e raportimit të vdekjeve me Coronavirus, duke thënë se do të regjistrojë vetëm personat që vdesin nga sëmundjet e frymëmarrjes.

Mirëpo diçka e tillë është kritikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka thënë se definicioni i ri “është shumë i ngushtë”.

Zyrtarët shëndetësorë kinezë kanë thënë të shtunën se mosha mestare e viktimave ka qenë 80.3 vjet, dhe se 90 për qind e të vdekurve janë mbi moshën 65-vjeçare.

Sipas tyre, shumica kanë pasur sëmundje tjera shoqëruese.

Aktualisht, miliona persona mbi moshën 60-vjeçare janë të pavaksinuar në Kinë.

Për Coronavirusin e ri është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur Coronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.

Më shumë se 6.7 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili./REL