Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shefki Gashi: Askush s’më ka kërkuar votë për kryetar të LDK-së

Këshilltari i Kuvendit Komunal të Prishtinës nga radhët e LDK-së, Shefki Gashi, i cili është edhe delegat i kuvendit të partisë, ka treguar se atij ende asnjë kandidat për kryetar të LDK-së nuk i ka kërkuar votë.

Gashi ka treguar se si do të vendosë për votën e tij për kryetar të LDK-së.

“Mua hala nuk më ka kërkuar askush votë. Unë jam delegat. Të shtunën do të kemi takim të degës. Do të diskutojmë me kryesi dhe anëtarë të degës dhe unë i marr mendimet e tyre dhe shkoj në kuvend”, tha Gashi në emisionin “Kallxo Pernime”.

“Nuk ka parti në Kosovë, e as në Evropë, për të cilën debatohet ma shumë sesa për LDK-në”, tha tutje Gashi.

Gashi ka folur edhe për rezultatin e LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Unë nuk kam besuar që kemi më rënë kaq shumë”, tha Gashi.

Të dielën më 14 mars, LDK do të mbajë kuvendin zgjedhor ku pritet të zgjedhë kryetarin e ri të partisë dhe kryesinë e re.