Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Shefi i NATO-s: Prishtina duhet ta de-përshkallëzojë situatën

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë ditës së sotme ka njoftuar se ka biseduar me Përfaqësuesin e lartë të Komisionit Evropian Josep Borrell.

Stoltenberg ka thënë se Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga BE.

“E vetmja rrugë drejtë paqes dhe normalizimit. Prishtina duhet të de-përshkallëzojë situatën dhe të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm destabilizues”- ka shkruar Stoltenberg në Twitter.

Sekretari Stoltenberg ka thënë se KFOR-i do të vazhdoj ta ofroj siguri dhe mjedis të sigurisë.

Të premten, në komunat e veriut të vendit është dëgjuar alarmi, ndërsa pranë disa objekteve komunale, si në Zveçan e në Zubin Potok, janë parë qytetarë të cilët kanë kundërshtuar futjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Pesë policë të Kosovës kanë pësuar lëndime të lehta trupore, pasi janë sulmuar nga protestuesit në Zveçan me mjete të forta dhe shok-bomba, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

Kjo situatë nxiti edhe reagimin e sekretarit amerikan, Antony Blinken i cili kritikoi qeverinë për përshkallëzim të tensioneve në veri.

Përveç sekretarit Blinken, ishin edhe të gjithë ambasadorët e QUINT-it që reaguan ashpër në lidhje me situatën e krijuar, duke vënë gishtin në drejtim të Qeverisë së Kosovës.