SHBA - Të paktën 16 persona dyshohet se janë vrarë dhe dhjetëra të plagosur

Të paktën 16 persona janë vrarë si pasojë e të shtënave të së mërkurës mbrëma në një kafene në Lewiston, Maine, të SHBA, sipas burimeve të atjeshme policore.

Policia ka konfirmuar se ka pasur incidente në dy lokacione dhe se sulmuesi ka mbetur i lirë deri në orët e vona të mbrëmjes.

Dy zyrtarë të zbatimit të ligjit i kanë thënë Associated Press se numri i të vdekurve është të paktën 16 persona dhe se dhjetëra të tjerë janë plagosur.

Autoritetet i kanë urdhëruar banorët dhe pronarët e bizneseve të qëndrojnë brenda dhe jashtë rrugëve.

Policia e ka identifkuar Robert Card, 40 vjeç, si një person i dyshuar dhe i cili duhet të konsiderohet “i armatosur dhe i rrezikshëm”.

Autoritetet nuk kanë konfirmuar ende një numër të vdekjeve, por CBS, partneri i BBC-së në SHBA, ka thënë se numri është të paktën 16 pasi foli me shumë zyrtarë të zbatimit të ligjit.

Ka pasur gjithashtu raporte të shumta por të pakonfirmuara për të paktën 50 persona të plagosur.

Robert Card është një instruktor i armëve të zjarrit, i cili u trajnua nga ushtria amerikane në një strukturë në qytetin e Saco, Maine, sipas një buletini të policisë së shtetit të parë nga Associated Press.

Associated Press tha gjithashtu se ai kishte kaluar kohë në një qendër të shëndetit mendor në verën e vitit 2023.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se Presidenti Biden ka folur individualisht me telefon me guvernatoren e Maine, Janet Mills, senatorët Angus King dhe Susan Collins dhe kongresmenin Jared Golden.

Senatori King ka thënë përmes një deklarate se është “thellësisht i trishtuar për qytetin e Leëiston dhe të gjithë ata që shqetësohen për familjen, miqtë dhe fqinjët e tyre”./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala