Gaza

SHBA: Do të punohet për të siguruar që Izraeli të ketë atë që i duhet për të mbrojtur veten

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar në lidhje me sulmet ajrore të ditës së sotme në Izrael.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin në një deklaratë për sulmet ndaj Izraelit nga militantët palestinezë, thotë se SHBA do punojë që Izraeli të ketë çfarë i nevojitet për të mbrojtur veten, raporton BBC. 

“Jam duke monitoruar nga afër zhvillimet në Izrael. Përkushtimi ynë ndaj të drejtës së Izraelit për t’u mbrojtur mbetet i palëkundur dhe u shpreh ngushëllimet e mia familjeve të atyre që humbën jetën në këtë sulm të neveritshëm ndaj civilëve,” thotë ai.

“Gjatë ditëve në vijim, Departamenti i Mbrojtjes do të punojë për të siguruar që Izraeli të ketë atë që i nevojitet për të mbrojtur veten dhe për të mbrojtur civilët nga dhuna dhe terrorizmi pa dallim”- shtoi tutje ai.

Grupi militant Hamas tha se ka lëshuar mijëra raketa në Izrael mëngjesin e 7 tetorit, duke nxitur autoritetet që të lëshojnë alarme për sulme ajrore në mbarë vendin, përfshirë në Jerusalem dhe Tel Aviv.

Izraeli u kundërpërgjigj duke kryer sulme ajrore ndaj caqeve në Rripin e Gazës.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë një adresimi televiziv më 7 tetor tha se Izraeli është “në luftë”, pas sulmit masiv që militantët e Hamasit nisën më herët gjatë ditës.

Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Spanja, Gjermania dhe shtetet e tjera kanë lëshuar deklarata duke afirmuar të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe kanë bërë thirrje për armëpushim.