Vjosa Osmani - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

SHBA do të ndihmojë ushtarakisht Kosovën, Osmani falënderon sekretarin Blinken

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken, në lidhje me mbështetjen financiare të SHBA-së për ndihmë ushtarake ndaj Kosovës.

Osmani ka shprehur mirënjohjen ndaj partnerëve amerikanë, që siç ka thënë ajo, qëndrojnë gjithmonë me popullin e Kosovës.

“Një falënderim personal shkon për Sekretarin Blinken për angazhimin e tij të palëkundur për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë dhe më gjerë. Ne u jemi mirënjohës partnerëve tanë amerikanë që qëndrojnë gjithmonë me popullin e Kosovës. Së bashku, ne do të shkojmë nga forca në fuqi” – ka deklaruar Osmani.

Misioni i SHBA-së në NATO ka njoftuar se në një takim që zhvilluan sot me, Blinken janë informuar rreth mbështetjes së ardhshme në vlerë prej 2.2 miliardë dollarë për financimin ushtarak të aleatëve dhe partnerëve.

“Në një të jashtëzakonshëm në NATO, Blinken informoi aleatët për mbështetjen e ardhshme me vlerë 2.2 miliardë dollarë në investime afatgjata në financimin e huaj ushtarak për aleatët dhe partnerët tanë” – shkruan NATO në Twitter.

Një ditë më parë, sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, njoftoi se Uashingtoni do të mbështesë Ukrainën “për aq kohë sa duhet” me një paketë financimi ushtarak prej 2.2 miliardë dollarësh.

Një zyrtar ka thënë për Reuters se, në këtë paketë do të përfshihen edhe 18 vende të tjera, përfshirë këtu edhe Kosovën që konsiderohen në rrezik të agresionit të ardhshëm rus.

Sipas Reuters, përafërsisht 1 miliard dollarë do t’i ndahen Ukrainës. Pjesa tjetër do të ndahet midis Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Bullgarisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Estonisë, Gjeorgjisë, Greqisë, Kosovës, Letonisë, Lituanisë, Moldavisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Polonisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë.

Ndihma vjen në formën e granteve dhe huave amerikane që u mundësojnë vendeve të blejnë armë dhe pajisje mbrojtëse të prodhuara në Shtetet e Bashkuara.