Shala i PDK-së: Qeveria të ofrojë alternativa, assesi të mos shtrenjtohet rryma

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka thënë se partia e tij është kundër propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për rikthimin e  bllok-tarifave të energjisë, duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovatë të dyfishohet.

Shala, në një prononcim për KALLXO.com, ka thënë se një propozim i tillë është në dëm të qytetarit dhe në dëm të ekonomisë së vendit.

“Në këtë rast po bëhet një orvatje e jashtëzakonshme për të bindur opinionin në mënyrë të padrejtë që është e nevojshme ngritja e çmimit të energjisë. Dhe ky raport dhe këto propozime për ngritjen e çmimit janë në dëm të konsumatorëve, në dëm të bizneseve dhe në dëm të ekonomisë së vendit”, tha Shala.

Shala i cili është edhe kryetar i Komisionit për Ekonomi, e ka kritikuar raportin e ZRrE-së duke thënë se nuk i përmbush kërkesat e qytetarëve.

“Sot ka dalë raporti propozues i zyrës së ZRrE-së për rritjen e çmimeve, raport të cilin e kanë mediat, komisioni dhe shumë institucione të tjera shtetërore, raport i cili në asnjë formë në asnjë parim nuk i përmbush kërkesat reale të qytetarëve tanë karshi krizës energjetike dhe karshi krizës globale”, tha ai.

Sipas deputetit të PDK-së, Kosova ka ardhur në një situatë të tillë pasi që Qeveria Kurti nuk ka ditur ta menaxhojë situatën energjetike në Kosovë.

“Qeveria i ka të gjithë mekanizmat e vetë institucionalë financiarë që është dashur të gjinden në këtë relacion por që lidhet edhe me krizën globale si dhe me debatet me mëhershme që kemi zhvilluar dhe vonesa dhe paaftësia e Qeverisë për të reaguar ne sektorin e energjisë me kohë ka sjellë probleme që po i përcjellim në mënyrë zinxhirore”, tha ai.

Tutje Shala për KALLXO.com ka thënë se duhet të gjinden alternativa të tjera mirëpo assesi të mos pranohet rritja e çmimit të energjisë.

“Qeveria duhet të ofrojë zgjidhje alternative që të mbështesë sektorin e energjisë në mënyrën më transparente dhe në asnjë formë të shkojë me ngritjen e çmimeve. Qeveria duhet të dalë urgjent me një qëndrim në këtë situatë dhe me ofru alternativa, dhe në asnjë mënyrë në pikun e dimrit me propozu rritje të çmimeve”, tha ai.

Sot, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë, duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovatë të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatetë e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.