Shaip Kamberi përkrah idenë e Albin Kurtit që në vend të Asociacionit të krijohet Këshill Nacional për serbët

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik dhe shefi i grupit parlamentar “Lugina e Bashkuar-SDA” në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi në emisionin ‘Kallxo Përnime’ ka thënë se më mirë është që të krijohen Këshilla Nacionale për pakica sesa Asociacion i komunave me shumicë serbe.

Kamberi ka thënë se nëse është e pranueshme për Serbinë që të krijojë Këshill Nacional për shqiptarët e Luginës, pse mos të pranojë që Kosova të krijojë për serbët e Kosovës.

“Duke e lavdëruar pozitën e pakicave si të avancuar në Serbi, Serbia duhet të pranojë propozimin e Kurtit. Nëse ata e shohin si të avancuar dhe vlen për pakicat që jetojnë në Serbi, pse mos të ekzistojë Këshill Nacional për pakicat që jetojnë në Kosovë. Nëse bën për shqiptarët e Luginës pse atëherë nuk bën Këshill Nacional për serbët në Kosovë”, tha Kamberi.

Kamberi ka thënë se qëndrimi i tij është se stabiliteti në Ballkan dhe stabiliteti në raportin Kosovë-Serbi mund të ndërtohet vetëm duke ndërtuar standarde të unisuara të respektimit të komuniteteve.

Sipas tij, ideja e krijimit të Këshillave Nacionalë në Serbi ka lindur kur Serbia administrohej nga kryeministri Gjingjiq, me aprovimin e Ligjit për të drejtat dhe liritë e pakicave që për atëkohë ishte i avancuar në raport me ligjet e kohës së Millosheviqit.

Parimet e përgjithshme për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë u nënshkruan më 25 gusht 2015 në kuadër të dialogut të Brukselit.

Që nga ajo kohë, kjo marrëveshje nuk gjeti zbatim pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës nxori vendim se shumica e pikave të marrëveshjes binin ndesh me Kushtetutën.

Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare kanë insistuar vazhdimisht në zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, porse, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar sërish se marrëveshja nuk mund të zbatohet pasi është kundërkushtetuese.