Serbët bllokojnë rrugët në afërsi të pikave kufitare Jarinjë dhe në Merdare, MPJ bën thirrje për shmangien e këtyre pikëkalimeve kufitare

Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se në territorin e Serbisë, në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe në Merdare, për shkak të protestave që po mbahen, nuk është i mundur kalimi i autobusëve dhe kamionëve që vijnë nga Kosova.

“Nuk është i sigurtë për momentin as kalimi i veturave” – ka thënë kjo ministri.

Kjo ministri ka shkruar në njoftim se nëse kosovarët tashmë kanë hyrë në Serbi, t’i përdorin pikat kufitare ne Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të kalojnë rrugë përmes Maqedonisë së Veriut (pikë – kalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit.

Gjithashtu, MPJ ka apekluar që qytetarët që nuk kanë hyrë tashmë në Serbi, të mos udhëtojnë përmes Serbisë.

Për bllokimin e rrugës ka shkruar edhe media serbe B92, e cila ka thënë se rreth 30 kamionistë kanë bllokuar rrugën kryesore Nish – Prishtinë. Sipas këtij mediumi, këta po e bllokojnë rrugën për shkak të bllokimit të mallrave të Serbisë nga Qeveria e Kosovës.

Më 14 qershor, tre policë kufitarë të Republikës së Kosovës janë kidnapuar nga Policia e Serbisë. Pas kësaj, nga Qeveria e Kosovës u tha që do të ketë kontrolle të shtuara të mallrave nga Serbia.