Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqipe, 15 gusht 2023 Foto: KALLXO.com

Seminari i Gjuhës Shqipe, ligjërohet për ‘Çështjet e Kosovës në prizmat ndërkombëtarë’

“Çështjet e Kosovës në prizmat ndërkombëtarë” ka qenë temë e ligjëratës në ditën e dytë në kuadër të Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqipe.

Kjo ligjëratë është mbajtur nga profesori dhe akademiku Muhamedin Kullashi, i cili ka shpalosur disa analiza nga dy librat e tij, “Çështja e Kosovës në hapësirën publike të Francës” dhe “Kosova në fushën e diplomacisë në Francë”.

Këto analiza flasin për regjimin ish-jugosllav në katër vende si në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë, përmes së cilave shpërfaqen diskutimet edhe për luftën e fundit në Kosovë.

Ai është lëshuar në analizën e debateve të hapësirës publike franceze, të cilat, sipas tij, kishin vënë në shqyrtim mënyrën e shpjegimit dhe interpretimin e ngjarjeve që e kanë cilësuar krizën e Kosovës nga fillimi i viteve ’80 të shekullit të kaluar.

Hapësirën publike Kullashi e ka definuar si hapësirë e formimit të opinionit dhe vullnetit politik e jo si skenë e paraqitjes së një publiku.

“Me zgjerimin e debateve publike mbi luftërat mbi Kroacinë dhe Bosnje Hercegovinë, do të fillojnë të paraqiten edhe analizat mbi ngjarjet në Kosovë, do dalin në shesh format dhe përmasat e spastrimit etnik të institucioneve të Kosovës, e më vonë edhe të territorit të Kosovës” – është shprehur Kullashi në ligjëratën e tij.

Më tej, ai ka bërë lidhshmërinë në mes spastrimit etnik të institucioneve dhe spastrimit etnik të territorit të Kosovës nga mbarimi i viteve ’90, të cilat kishin filluar të diktoheshin në thellimin e shqyrtimeve mbi Kosovën.

Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqipe, 15 gusht 2023

Ardhjen në pushtet të presidentit serb të atëhershëm, Sllobodan Millosheviqit, në vitin 1987, në skenën politike të Serbisë, Kullashi ka deklaruar se, e ndihmuan strukturat partiake të Serbisë, të cilat kishin sajuar një projekt të ri politik mbi raportet me njësitë federative dhe popujt tjerë jugosllavë.

Sipas Kullashit, Millosheviq kishte premtuar se “Serbia ose do të jetë e fortë dhe e bashkuar, ose nuk do të jetë fare”.

“Parullat ‘Na jepni armë dhe vdekje shqiptarëve’ ishin parullat kryesore të takimeve në mes popullit serb, e të cilat paraqiteshin rregullisht në mediat e Serbisë si një mllef i arsyeshëm i një populli të fyer” – ka treguar ai.

Në anën tjetër, sipas të dhënave të Kullashit, në një konferencë të mbajtur në muajin gusht 1992, në jug të Francës, konferencë shkencore kushtuar shembjes së Jugosllavisë, për herë të parë u botuan artikuj dhe foto mbi kampet e përqendrimit në Bosnjë.

“Zbulimi i kampeve në Bosnje, imazhet e para me njerëz të shndërruar në skelete të gjalla, të rrethuara me tela dhe gjemba, tronditën fuqishëm opinionin francez” – ka theksuar ai.

Ndërkohë, tregohet tutje se kur kishte shpërthyer lufta në Bosnje, disa muaj më vonë ishte themeluar Komiteti i Kosovës, i cili kishte organizuar konferenca shkencore për Kosovën, kishte botuar libra, artikuj dhe revista prestigjioze.

Shpërthimi i luftës në Bosnje, sipas tij, kishte krijuar një hapësirë edhe për çështjet e Kosovës, mirëpo tmerret e luftës në Bosnje bënin që dhuna e policisë serbe në Kosovë të mbetej për një kohë nën hije, së paku për opinionin e gjerë.

Ndërkaq, Komitet i Kosovës, siç thotë ai, organizoi takimet e para të presidentit të Kosovës atë kohë, Ibrahim Rugovës me përfaqësuesit e autoriteteve franceze, me qëllim të afirmimit të çështjes së Kosovës.

Kuptimit adekuat të veçantisë së problemit të Kosovës brenda opinionit francez, siç u shpreh Kullashi, e pengonin paragjykimet e akumuluara gjatë viteve të kaluara, nga propaganda proserbe në Francë.

“Si shembull të këtyre paragjykimeve mund të përmenden, ato që i shihnin shqiptarët e Kosovës si një popull arkaik, e i prapambetur, dikur vasalë të turqve, më vonë bashkëpunëtor besnik të fashizmit italian dhe nazizmit gjerman” – ka përmendur disa nga këto propaganda Kullashi.

Ai ka folur edhe për masakrën e datës 7 mars 1998 në Prekaz, për të cilën ishte mbajtur një nga tubimet më të mëdha kushtuar Kosovës në të njëjtën datë, organizuar nga Komiteti i Kosovës, në Paris.

Kullashi ka promovuar Kosovën në Francë dhe në botën perëndimore në përgjithësi, nëpërmes veprimtarisë së tij prej filozofi dhe autori librash.

Në vitet 2009-2016 ai ka qenë ambasador i Kosovës në Francë.

Seminari i 41-të i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe do të jetë i hapur deri më 25 gusht.

120 seminaristët e huaj të cilët marrin pjesë në këtë Seminar do të mësojnë tre nivelet e gjuhës shqipe.